Një ditë para se të shpallet lista e plotë e futbollistëve të ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës në futboll Albert Bunjaki, futbollistët e përfaqësueses kosovare po kalojnë nëpër një formë të mirë momentale në këtë fillim stinori. Futbollistët më në formë, që potencialisht pritet të figurojnë në listën prej 23 futbollistëve, janë Valon Berisha, Elbasan Rashani e Milot Rashica.
Shtatë ditë para takimit të parë zyrtar të Kosovës në kualifikimet për botërorin “Rusi 2018” ndaj Finlandës në udhëtim, përfaqësuesja e Kosovës mund t’i gëzohet momentit, pasi shumica prej futbollistëve të saj po kalojnë nëpër një formë të mirë sportive dhe pa lëndime.
Megjithatë, futbollistët që priten të ftohen për herë të parë në përfaqësuesen kosovare – ata të cilët pak ditë më parë konfirmuan zgjedhjen e tyre për Kosovën, pasi vendosën të lënë përfaqësueset e tyre paraprake – janë futbollistët që po kalojnë formën më të mirë nga të tjerët.
Valon Berisha i Red Bull Salzburg, Arbër Zeneli i Heerenveen, Milot Rashica i Vitesse, Elbasan Rashani i Rosenborg apo edhe Ardian Ismajli i Hajduk Split janë futbollistët që kanë rënë në sy me paraqitjet e tyre të mira në skuadrat përkatëse.
Valon Berisha ka shënuar dy gola me Salzburgun, në 12 ndeshje të zhvilluara, këto mes kampionatit austriak dhe kualifikueseve për Ligën e Kampionëve.
Berisha ka shënuar një gol në ligë dhe një në kualifikueset e LK-së, duke qenë meritor në sigurimin e futbollit të Ligës së Evropës për sezonin e ardhshëm të Salzburgut – e cila u mposht në play-off të Ligës së Kampionëve nga Dinamo Zagreb. Berisha ka zhvilluar 942 minuta lojë në total.
Një fillim të mirë të sezonit kanë bërë edhe dy talentet kosovarë të kampionatit holandez, Arbër Zeneli e Milot Rashica. 21-vjeçari i Heerenveen ka shënuar një gol në tre ndeshjet e para të Eredivisie, duke qenë faktor i rëndësishëm në skuadrën e njohur holandeze. Rashica në anën tjetër ka asistuar një herë, derisa ka zhvilluar tre 90-minutësha të plotë.
Elbasan Rashani është futbollisti që ka më së shumti minuta në këmbë nga futbollistët e përfaqësueses, kjo pasi kampionati në të cilin paraqitet ai, Norvegji, ka nisur në muajin mars çka ka bërë që ai të zhvillonte ndeshje edhe gjatë stinës së verës. Në 15 ndeshje në ligë, 23-vjeçari ka tundur tri herë rrjetën e kundërshtarëve derisa ka asistuar katër herë të tjera.
Gol ka arritur të shënojë edhe mesfushori i avancuar Herolind Shala, futbollisti që la Shqipërinë për Kosovën shënoi gol në debutimin e tij të plotë me skuadrën e re Kasimpasa. Ai zhvilloi edhe 20 minuta lojë fundjavën e kaluar.
Një sezon të mirë, të parin të tij me Hajdukun e Splitit, po e zhvillon edhe qendërmbrojtësi Ardian Ismajli. Ai ka zhvilluar 6 takime me gjigantin kroat (në kampionat dhe në kualifikimet e Ligës së Evropës) në të cilat ka shënuar një gol ndaj Rijekës.
Mbrojtësit e krahut, Leart Paqarada dhe Fanol Perdedaj e kanë filluar po ashtu mirë sezonin e ri duke mbajtur kondicionin fizik në nivel të kënaqshëm. Të dy futbollistët e Bundesligës së dytë në Gjermani kanë zhvilluar tre takimet e para në kampionat.
Shqetësues për teknikun Bunjaki mbetet fakti se disa nga futbollistët e grumbulluar më parë në përfaqësuese nuk kanë luajtur ende asnjë minutë në klubet e tyre, raporton Insajderi.
Besar Halimi nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje me Mainz për shkak të konkurrencës së madhe në skuadër – në ndeshjen e fundjavës ndaj Dortmund, Halimi nuk ishte as në bankën rezervë. Edhe kapiteni Loret Sadiku, i cili ka ndërruar skuadër këtë verë – ka kaluar nga Mersin tek Kasimpasa – nuk ka zhvilluar ende asnjë minutë.
Sulmuesit Bersant Celina, Sinan Bytyqi dhe Albert Bunjaku po ashtu nuk po kalojnë në formë të mirë. Dy të parët nuk kanë luajtur ende këtë fillim stinori, me Celinën që kreu transferimin drejt Tëentes pak ditë më parë.
Edhe Alban Meha nuk ka asnjë minutë në këmbë në këtë fillim stinori, mesfushori u largua nga Al Nasr për tu rikthyer sërish tek Konyaspor javën e kaluar dhe nuk është në gjendje optimale për lojë.
Kokëqarje për trajnerin e përfaqësueses së Kosovës padyshim që mbetet pozita e qendër sulmuesit, pozitë në të cilën nuk ka shumë alternativa momentalisht, derisa ai që u paraqit i fundit në atë pozitë në miqësoren ndaj Ishujve Faroe ishte Albert Bunjaku, sulmuesi i St. Gallen në Zvicër.
32-vjeçari ka zhvilluar vetëm një ndeshje si titullar në gjashtë ndeshjet e para të kampionatit zviceran, duke mos arritur të gjesjë asnjëherë rrugën e rrjetës. Trajneri i përfaqësueses mund të detyrohet të përdorë njërin nga sulmuesit anësor si “pykë” në këtë takim. Rashica kishte zhvilluar sezonin e kaluar disa takime si qendër sulmues me Vitessen.
Përfaqësuesja e Kosovës do të grumbullohet që nga dita e nesërme kur edhe pritet të shpallet lista e plotë e futbollistëve të ftuar, derisa ekipi përfaqësues pritet të udhëtojë për në Finlandë më 1 shtator, katër ditë para takimit historik.
Trajneri Bunjaku ka më pak se një javë kohë në dispozicion për të parë nga afër gjendjen e futbollistëve që do aktivizojë në 11-shën startuese ndaj skandinavëve. Ndeshja Finlandë-Kosovë zhvillohet në stadiumin “Veritaas” të qytetit Turku, të hënën e ardhshme me fillim nga ora 20:45.