Duke filluar nga ora 21:00 do të luhen dy sfidat e vlefshme për gjysmëfinalet e Ligës së Europës, ku Roma pret në “Olimpico” Manchester United, ndërsa Arsenali luan kundër Villarrealit, njofton Insajderi.
Roma vjen nga një humbje e rëndë 6-2 në “Old Trafford” teksa mundësitë për kryeqytetasit që të kthejnë rezultatin janë pothuajse zero. ‘Verdhekuqtë’ do të vijnë me mungesa të shumta si El Shaarawy, Spinazzola, Veretout dhe portieri Lopez.
Në kampin tjetër, Solskjaer i ka kërkuar ekipit të tij që të qëndrojnë me këmbë në tokë pasi asgjë nuk është mbyllur ende.
Në sfidën tjetër Arsenali do të kërkojë të përmbysë rezultatin 2-1 të ndeshjes të parë, teksa te “topçinjtë” është rikthyer dhe sulmuesi Aubameyang pasi u shërua nga sëmundja e malaries. Për londinezët do të ishte një mundësi e artë fitimi i Ligës së Europës pasi do të riktheheshin në Champions, por më parë duhet të kalojnë spanjollët e Villarrealit. /Insajderi.com