
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, e mirëpriti me rezerva marrëveshjen e re për migracionin, të arritur në orët e mëngjesit të së premtes, pas bisedimeve maratonë prej me shume se 10 orësh të liderëve evropianë në Bruksel.
Tusk u tha gazetarëve se “është shumë herët të flitet për sukses” dhe se bërja e marrëveshjes ka qenë e lehtë “në krahasim me atë që duhet bërë në terren”.
Me marrëveshjen e re mund të ndërtohen qendra të reja për migrantë në shtetet e BE-së, ku do të përpunoheshin kërkesat e azilit. Migrantët ekonomikë, të cilëve u refuzohen kërkesat, do të kthehen. Ata që konsiderohen refugjatë të vërtetë, do të strehohen.
Liderët kanë thënë se qendrat e reja për migrantët duhet të krijohen në shtetet e BE-së, në baza vullnetare.
Por teksa Europa është e përçarë dhe aktivistët thonë se kjo marrëveshje i mbyll derën refugjatëve, një foto po bën xhiron e rrjetit.
Ajo ka tronditur miliona njerëz pasi tregon 3 bebe të mbytura në brigjet e Libisë teksa tentonin të vinin drejt Europës.