Pas disa bastisjeve nga ekipet antiterroriste në një shtëpi në qytetin jugor të Francës, Montpellier, janë arrestuar katër persona të cilët po planifikonin sulm terrorist.
Bëhet e ditur se në shtëpinë e bastisur janë gjetur mjete shpërthyese dhe një laborator për prodhimin e tyre. Sipas të dhënave të publikuara në mediumet franceze duke u bazuar në burime të sigurisë, ekipet e antiterrorist në orët e mëngjesit kanë organizuar bastisje në një apartament në qytetin Montpellier.
Mësohet se bastisja është organizuar me qëllim kapjen e një personi i cili ka qenë nën mbikëqyrje prej një kohe të gjatë, ndërkohë që janë kapur katër persona, përfshirë një vajzë të re në moshën 16-vjeçare. Njoftohet se vajza në fjalë ka qenë nën ndjekje prej një kohe të gjatë përmes rrjeteve sociale dhe se ishte pranë largimit për në Siri, shkruan AA.
Mediumet franceze rastin në fjalë e kanë raportuar si parandalim i një sulmi të ri terrorist. Theksohet se mobilizimi i ekipeve të antiterrorist ka ardhur pasi është vërejtur se njëri nga personat e kapur ka blerë aceton në sasi të madhe. Nga ana tjetër, janë duke vazhduar marrjet në pyetjeve të të dyshuarve, të cilët janë në moshë 16, 20, 26 dhe 33-vjeçare.
Ndryshe, pas sulmeve terroriste që ndodhën në vitin 2015 dhe 2016, në Francë ishte shpallur gjendje e jashtëzakonshme. Presidenti Françoiis Hollande, në një deklaratë javën e kaluar, theksoi se “Ende vazhdon rreziku nga sulmet terroriste. Masat parandaluese dhe përpjekja do të vazhdojë derisa të ekzistojë kërcënimi”. /Insajderi.com