Francë: Trupat e dhuruar për kërkime shkencore u lënë të hahen nga minjtë

Francë: Trupat e dhuruar për kërkime shkencore u lënë të hahen nga minjtë

Autoritetet në Francë do të hetojnë pretendimet se kufomat njerëzore të dhuruara për shkencë u lanë të kalben dhe do të haheshin nga minjtë në një strukturë kërkimore universitare, tha zyra e prokurorit të Parisit, shkruan The Guardian, transmeton Insajderi.

Një hetim mbi “shkeljen e integritetit të kufomës” iu dorëzua magjistratëve nga prokurorët që trajtuan fazën fillestare të hetimit pasi revista l’Express raportoi skandalin nëntorin e kaluar.

Gazeta tha se mbetjet e mijëra njerëzve që u dhuruan për kërkime u zbuluan në kushte të neveritshme në Qendrën për Donacione të Trupit (CDC) të Universitetit të Paris Descartes.

Trupat e zhveshur, të shpërndarë, të grumbulluar njëri mbi tjetrin, me një kokë të ndarë të shtrirë në dysheme, raportoi l’Express, duke përshkruar skenën, të fotografuar në vitin 2016, si të ngjajshme me një varr masiv. Disa pjesë të trupit ishin duke u dekompozuar, të tjerë shtriheshin atje me shenja nga minj, në mes të qeseve të hapura që përmbanin mbetje njerëzore.

Deri më tani janë parashtruar gati 80 ankesa. Zbulimet bënë që qeveria franceze të urdhëronte mbylljen e qendrës dhe një inspektim administrativ nga një panel i cili tha se në qershor universiteti ishte fajtor për “shkelje të rënda etike” në menaxhimin e tij të CDC.

Qendra, e hapur në vitin 1953, ishte më e madhja në llojin e saj në Evropë dhe deri në mbylljen e saj mori qindra trupa të dhuruar çdo vit. /Insajderi.com