
Lojërat Olimpike Dimërore Europiane Rinore që do të zhvillohen në Erzurum të Turqisë më datat 11-18 shkurt janë në rrezik, për shkak të atentateve të shumta terroriste që janë evidentuar në këtë shtet kohët e fundit.
Komiteti Olimpik Europian (EOC) do të marrë një vendim më 26 janar nëse do të konfirmojë qytetin turk si vendin organizator, apo do t’ia delegojë këtë të drejtë një shteti tjetër. Mbledhja e 26 janarit do të zhvillohet në Lozanë të Zvicrës.
Në këtë mbledhje do të merret mendimi edhe i komiteteve olimpike europiane, që kanë shprehur frikë të dërgojnë sportistët e tyre në Turqi.
“Siguria e sportistëve tanë është prioritet për ne, çështja kryesore që duam. Ndaj, do të monitorojmë situatën para se të vendosim, pasi do të shohim edhe masat e sigurisë që janë marrë”, thuhet në një deklaratë të EOC-it.
Në këtë manisfestim olimpik rinor dimëror marrin pjesë 1,800 sportistë të moshës 14-18 vjeç, të cilët përfaqësojnë 50 shtete europiane.