Fuqitë evropiane kërkojnë respektimin e marrëveshjes bërthamore nga Irani

Fuqitë evropiane kërkojnë respektimin e marrëveshjes bërthamore nga Irani

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe i kanë bërë thirrje Iranit që ta respektojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Përmes një deklarate të përbashkët, kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri britanik, Boris Johnson, thanë: “Është jetike që Irani t’i kthehet respektimit të plotë të zotimeve të veta në këtë marrëveshje”.

Irani tha javën e kaluar se nuk do t’i përmbahet më marrëveshjes me fuqitë botërore rreth kufizimeve për pasurimin e uraniumit. Nga kjo marrëveshje në vitin 2018 u tërhoqën edhe Shtetet e Bashkuara.

Në deklaratën e fuqive evropiane thuhet se shqetësimet e përbashkëta duhet të trajtohen përmes diplomacisë, përfshirë aktivitetet destabilizuese të Iranit dhe programin bërthamor të republikës islamike.

Ndryshe, sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, tha të dielën se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për bisedime të hapura dhe pa kushte me Iranin, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.