Furgoni përplas këmbësorët në Barcelonë, ka edhe të plagosur

Furgoni përplas këmbësorët në Barcelonë, ka edhe të plagosur

Një furgon është përplasur me këmbësorët në një zonë turistike të Barcelonës, duke lënë disa të plagosur sipas raportimeve të medieve lokale.

Dëshmitarë nga vendngjarja kanë publikuar foto dhe video nga momenti i tmerrit, ndërsa atje kanë shkuar edhe automjetet e emergjencës, pas përplasjes së ndodhur në sheshin ikonë “Las Ramblas” të frekuentuar shumë nga turistët.

Njerëzve aty pranë u është thënë të shmangin zonën, ndërsa shërbimet e emergjencës i janë përgjigjur menjëherë “incidentit serioz” në kryeqendrën e Katalunjës.

Linjat e metrosë janë mbyllur, sikurse edhe dyqanet përreth zonës, ndërsa këmbësorët vraponin nga të katër anët në kërkim të strehimeve të sigurta, teksa policia zbarkoi me forca të shumta në zonë.

Dëshmi nga vendngjarja tregojnë se një furgon u drejtua përmes turmës së këmbësorëve në momentin që ata kalonin nga njëri trotuar në tjetrin. Policia konfimon përplasjen “masive”, por dëshmitarët thonë se kanë dëgjuar edhe të shtëna armësh që nuk janë konfirmuar ende.

Gazeta “El Pais” njofton se drejtuesi i mjetit është larguar në këmbë pasi përplasi dhjetëra këmbësorë, ndërsa raporte të tjera thonë se dy persona të armatosur kanë hyrë në një restorant pas ngjarjes së mëparshme.

Edhe pse detajet e incidentit nuk janë momentalisht të qarta, përdorimi i automjeteve për të shkaktuar panik dhe viktima në vendet e BE-së është përdorur që nga korriku i vitit 2016, në një seri sulmesh terroriste nga militantë islamikë, duke vrarë mbi 100 persona në Nice, Berlin, Londër dhe Stockholm.

Javët e fundit, grafite kërcënuese ndaj turistëve janë parë në Barcelonë, aty ku shkojnë të paktën 11 milionë turistë në vit. Në një video të publikuar nën sloganin “turizmi vret fqinjësinë”, disa individë kanë ndaluar një autobus me turistë në Barcelonë, duke shpuar gomat dhe duke vizatuar me spraj nëpër xhamat e tij.