Futbolli anglez do t’i bojkotojë rrjetet sociale për katër ditë

Futbolli anglez do t’i bojkotojë rrjetet sociale për katër ditë

Futbolli anglez do të bashkohet për të bojkotuar mediat sociale për katër ditë në përgjigje të abuzimit të pamëshirshëm në internet ndaj lojtarëve, njofton Insajderi.

Bojkoti në Facebook, Twitter dhe Instagram do të fillojë të premten e ardhshme dhe do të zgjasë deri të hënën, duke mbuluar një xhiro të plotë ndeshjesh në ligat profesionale të burrave dhe grave.

Mbyllja do të ndërmerret nga Federata Angleze e Futbollit (FA), Premier Liga, Liga Angleze e Futbollit, Super Liga e Grave, Kampionati i Grave, si dhe shoqatat e lojtarëve, menaxherëve dhe gjyqtarëve dhe grupi anti-diskriminim “Kick It Out”.

“Bojkoti tregon se si futbolli anglez bashkohet për të theksuar se kompanitë e mediave sociale duhet të bëjnë më shumë për të eliminuar urrejtjen në internet”, thuhet në deklaratën e përbashkët, “ndërsa nënvizon rëndësinë e edukimit të njerëzve në luftën e vazhdueshme kundër diskriminimit”.

Shoqatat janë të shqetësuara për “rrjedhën e pamëshirshme të mesazheve diskriminuese” dhe bëjnë thirrje për “pasoja serioze për furnizuesit e abuzimit në internet në të gjitha platformat”.

Dy klube të kategorisë së dytë, Birmingham dhe Swansea, dhe kampioni skocez Rangers kanë mbajtur bojkot gjatë një jave në mediat sociale kohët e fundit, ndërsa ish-sulmuesi i Arsenalit dhe Francës Thierry Henry ka mbyllur llogarinë në mediat sociale për shkak të racizmit dhe ngacmimit.

Në shkurt, udhëheqësit e futbollit anglez u bashkuan për dërgimin e një letre të përbashkët drejtorit të përgjithshëm të Facebook-ut Mark Zuckerberg dhe homologut të tij në Twitter Jack Dorsey, ku kërkuan që platformat të mos jenë më “strehë për abuzim”, por të ndërmarrin veprime më të ashpra. Ata kërkuan një proces më të mirë verifikimi, i cili mundëson që përdoruesit të sigurojnë informacion të saktë identifikues dhe të mos u lejohet regjistrimi në një llogari të re nëse njëherë janë ndaluar.

“Ne nuk do të ndalemi së sfiduari kompanitë e mediave sociale dhe duam të shohim përmirësime të konsiderueshme në politikat dhe proceset e tyre për të trajtuar abuzimin diskriminues në internet në platformat e tyre”, tha shefi ekzekutiv i Premier Ligës, Richard Masters.

Krahas bojkotit, drejtuesit anglezë të futbollit i kanë kërkuar qeverisë britanike të miratojë legjislacion të fortë për t’i bërë kompanitë e mediave sociale më të përgjegjshme për postimet që shfaqen në platformat e tyre. /Insajderi.com