Futbollistet e Kosovës nisin përgatitjet për sfidën me Estoninë

Futbollistet e Kosovës nisin përgatitjet për sfidën me Estoninë

Me futbolliste vetëm të klubeve të vendit, Përfaqësuesja e Kosovës i ka nisur të hënën në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq përgatitjet për ndeshjen kundër Estonisë, që u takon eliminatoreve për “Euro 2021”.

Në Përfaqësuese dominojnë lojtaret e Mitrovicës, që kanë nisur më herët përgatitjet për shkak se do të garojnë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Ishin plot nëntë futbolliste të Mitrovicës në grupin e 22 lojtareve sa ishin gjithsej në stërvitjen e parë. Grupit të mërkurën do t’i bashkohen edhe futbollistet Erleta Mehmeti, që luan në Gjermani, dhe Edona Kastrati, që luan në Itali.

Kosova luan kundër Estonisë të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Përzgjedhësja Afërdita Fazlija pret që edhe me këtë grup lojtaresh ta fitojë ndeshjen kundër Estonisë.

Fazlija insiston se problemi më i madh do të jetë forma fizike e futbollisteve, që nuk janë sa duhet të përgatitura.

“Kemi katër ditë përgatitje dhe në ditën e parë të grumbullimit i kemi 22 futbolliste të klubeve të vendit, por do të na vijnë edhe futbollistet Erleta Mehmeti dhe Edona Kastrati. Është një ndeshje e rëndësishme dhe specifike për shkak të rrethanave e sidomos për futbollin e femrave. Po e përcjellim formën fizike, pasi problemi jonë kryesor do të jetë përgatitja fizike. Do të jetë problem për këto 4-5 ditë të përgatitemi, pasi na duhet ta ruajmë energjinë për ndeshje. Megjithatë, ne kemi analizuar dhe do të mundohemi ta bëjmë më të mirën për t’u përgatitur për fitore”, ka thënë trajnerja Fazlija për KOHËN, transmeton Insajderi.

Mungesa e lojtareve nga vendet e tjera do të ndihet, por ato që janë grumbulluar kanë premtuar se do ta bëjnë të pamundurën për ta fituar ndeshjen.

Në këtë cikël kualifikues të nisur vitin e kaluar, Kosova ka shënuar dy fitore dhe ka pësuar tri disfata dhe zë vendin e katërt me gjashtë pikë në grupin ku lidere është Holanda me 18 pikë nga gjashtë ndeshje të zhvilluara. Pjesë e grupit janë edhe Rusia, Sllovenia dhe Turqia./Insajderi.com.