Derisa të gjithë janë duke pritur vendimin e futbollistëve kosovarë të Zvicrës, sa i përket përfaqësimit të Kosovës, është një futbollist më prejardhje shqiptare në Turqi, Necip Uysal, i cili pritet të luajë për Kosovën.
Futbollisti i Besiktasit Neçip Uysal mund të luajë për Kosovën sapo të kompletojë procedurën e dokumentacionit. Kështu shkruajnë sot mediet turke, duke u bazuar edhe në një deklaratë të trajnerit Albert Bunjaku, që thuhet se e ka kontaktuar mesfushorin.
Zëvendës-kapiteni i Besiktasit, tanimë kampion i Superligës turke, është njëri nga emrat që pritet të ofrohet në përfaqësuesen kosovare, shkruan gazeta turke Karar, njofton Insajderi.
Ndërsa, ofertën dhe bisedimet me futbollistin e Besiktasit i ka konfirmuar trajneri i përfaqësueses, Albert Bunjaku, i cili tha që “vetëm pritet të udhëtojmë në Stamboll për të finalizuar marrëveshjen”.
“Menjëherë pasi UEFA na pranoi, ne e kontaktuam Uysal-in dhe menaxherin e tij. Nexhip ka prejardhje nga Kosova dhe përfaqësuesja e Kosovës dëshiron që t’ia ofrojë atij këtë uniformë. Në bisedimet e para që kemi bërë jemi mjaft optimist”, tha Bunjaku për mediet turke.
Uysal luan në pozitat e mesfushorit defensiv dhe mbrojtësit, ndërsa këtë sezon është shpallur kampion me skuadrën e Besiktasit në Turqi. Ai është 25-vjeçar dhe e ka pranuar vetë se ka prejardhje nga Kosova.
Ai luan prej 7 vitesh me skuadrën e madhe turke, Besiktas. /Insajderi.com