Futbollisti që eliminoi Trepçën ’89 nga Liga e Kampionëve, punon si zdrukthëtar

Futbollisti që eliminoi Trepçën ’89 nga Liga e Kampionëve, punon si zdrukthëtar

Një zdrukthëtar, disa elektricistë e të tjerë zyrtarë shtetërorë të Ishujve Faroe, që bëjnë pjesërisht edhe punën e futbollistit, eliminuan kampionin kosovar të futbollit, Trepçën ’89, në xhiron e parë para-kualifikuese të Ligës së Kampionëve.

Vikingur Gota e mposhti me rezultat të përgjithshëm 6 me 1 Trepçën ’89, duke i turpëruar kosovarët në pjesëmarrjen e parë të tyre në “Champions”.

Futbollistët e skuadrës së Vikingur Gotas nga Ishujt Faroe nuk janë futbollistë profesionistë. Këtë e thotë vetë futbollisti rumun i kësaj skuadre, Anghel Sorin.

Në një intervistë me mediumin rumun, Premium.ro, Sorin ka treguar se ai me profesion është zdrukthëtar. Por, jo vetëm ai. Sorin ka thënë se edhe futbollistët e tjerë të skuadrës janë elektricistë apo zyrtarë shtetëror, raporton Insajderi.

I pyetur se a bën punë tjetër përpos futbollit, Sorin përgjgijet: “Sigurisht që bëjmë! Ne kemi në ekip shumë studentë të rinj, zyrtarë shtetërorë, disa të tjerë janë elektricistë. Unë jam zdrukthëtar. Ne punojmë nëpër shtëpi, korporata dhe kështu me radhë. Të ardhurat janë të mira, fitimprurëse. Të gjithë janë të lumtur! Këtu, nëse nuk punoni, është vështirë të rezistoni.”

Ai thotë se në skuadrën e Vikingurit, që është kampion e Ishujve Faroe, merr pagë mujore prej 2 mijë eurove.

“Kontratat janë të vogla. Diku deri në 2,000 euro për pagën muajore. Ditën punoj deri në orën 4 pasdite. Pastaj shkoj në stërvitje”, ka deklaruar Sorin Anghel.

Sorin, madje i kishte shënuar gol skuadrës kosovare në ndeshjen kthyese të zhvilluar në Mitrovicë. /Insajderi.com