G7 thirrje Rusisë që urgjentisht të sjellë në gjykatë autorët e helmimit të Navalny

G7 thirrje Rusisë që urgjentisht të sjellë në gjykatë autorët e helmimit të Navalny

Sot, vendet e G7 i bënë thirrje Rusisë që urgjentisht të sjellë para drejtësisë autorët e helmimit të konfirmuar të kreut opozitar Alexei Navalny, njofton Insajderi.

Në një deklaratë, ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Kanadasë, Shteteve të Bashkuara, Francës, Italisë, Japonisë dhe Britanisë së Madhe thanë se ishin të bashkuar në dënimin më të fortë të helmimit të konfirmuar të Navalny.

Gjermania, ku opozitari 44-vjeçar po trajtohet pas helmimit, informoi partnerët e tij të G7 se analiza klinike dhe toksikologjike nga ekspertë gjermanë dhe laboratorë të specializuar të forcave të armatosura gjermane përcaktoi se Navalny ishte viktimë e një sulmi kimik me një substancë nga “grupi fillestar” i zhvilluar nga Rusia.

“Çdo përdorim i armëve kimike, kudo në çdo kohë nga çdokush dhe në çdo rrethanë është i papranueshëm dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare”, thanë ministrat në një deklaratë të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara, kryesuese e këtij viti e G7.

“Ne, ministrat e jashtëm të G7, i bëjmë thirrje Rusisë që urgjentisht të tregojë në mënyrë transparente identitetin e atyre që janë përgjegjës për këtë sulm me këtë helm të egër dhe t’i sjellë ata para drejtësisë,” thanë ministrat.

Ata i kujtuan Moskës detyrimet e saj sipas Konventës Ndërkombëtare mbi Ndalimin e Armëve Kimike, e cila ka qenë në fuqi që nga 1997.

“Ky sulm kundër kreut të opozitës, Navalny, është një tjetër goditje e rëndë për demokracinë dhe pluralizmin politik në Rusi. Ai paraqet një kërcënim serioz për të gjithë ata që mbrojnë liritë politike dhe civile,” thuhet në deklaratë.

G7 ka bërë të ditur se do të monitorojë nga afër përgjigjen e Rusisë ndaj kërkesave ndërkombëtare për një shpjegim./Insajderi.com