Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, pas formimit të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, u ka bërë thirrje për bashkëpunim, siç ka thënë ai, për të dalë nga kriza e përbashkët, përcjell Insajderi.
Kllokoqi ka thënë se shpresojnë që të mos informohen përmes mediave për zhvillimet rreth masave kundër COVID-19, por “ashtu siç na është premtuar nga vetë subjekti që tanimë ka filluar qeverisjen, që të ulemi së bashku, të bisedojmë, dhe të vendosim për të ardhmen”.
Në një postim në Facebook, ai tutje është shprehur se qeveria e re e ka marrë shtetin në dorë në situatën më të rëndë të shëndetit publik dhe të ekonomisë.
“Si Kryetar i Shoqatës se Gastronomeve të Kosovës, Kryeministrit dhe Qeverisë së re i uroj suksese dhe punë mbare. Qeveria e re e ka marre shtetin ne dore ne situatën me te rende te shëndetit publik dhe ekonomisë.
Ne nuk duam ta kapim për fyti qysh ne ditët e para, me presion, zhurmë, protesta. Ne thjeshte kërkojmë nga ta bashkëpunim, që të dalim nga kjo krizë e përbashkët qe po kalojmë”, ka shkruar ndër të tjera Kllokoqi./Insajderi.com