Gazetarët e gjithë botës e mbrojnë Julian Assange

Gazetarët e gjithë botës kanë dalë në mbrojtje të themeluesit të WikiLeaks-it Julian Assnage (48) dhe kanë bërë thirrje për nënshkrimin e një peticioni kundër ekstradimit të tij në SHBA, ka publikuar iniciativa “Speak up for Assange” e cila për dy javë ka mbledhur 900 nënshkrime të gazetarëve nga 89 vende. Në mbrojtje të Assange-it qëndron edhe komisionari i Kombeve të Bashkuara për rastin e tij.

Gazetarët e gjithë botës e mbrojnë Julian Assange

“Më në fund kam kuptuar se kam qenë i verbër me propagandë dhe se gjatë gjithë kohës kanë shpifur kundër Assange-it në mënyrë që të largohet vëmendja nga krimet të cilat ai i ka zbuluar”, ka thënë Hetuesi i Posaçëm i KB për torturë Nils Melzer i cili e ka hetuar rastin Assange.

“Kur është dehumanizuar me izolim, përqeshje dhe turpërim, pikërisht si dikur kur i kanë djegur shtrigat, atëherë ishte lehtë të privohet nga të drejtat themelore të njeriut pa shkaktuar zemërimin publik në gjithë botën”, ka shtuar Melzer.

Ai ka paralajmëruar se me ekstradimin e Assange-it “do të vendoset precedenti i cili në të ardhmen do të mund të zbatohet për zbulimet e Guardian-it, New York Times-it dhe ABC News-it”.

Assange është akuzuar në SHBA nën 18 pika, duke përfshirë edhe komplotin me hakim të qeverisë me kompjuterë dhe shkelje të ligjit mbi spiunimin. Nëse dënohet, mund të qëndrojë në burg disa dekada.

Avokatët e tij në Britani të Madhe të enjten kanë thënë se Assange nuk mund të ekstradohet nga Britania e Madhe në SHBA sepse marrëveshja në mes dy vendeve ndalon ekstradimin për vepra penale politike.

Shtetasi i Australisë u bë i famshëm në fillim të vitit 2010 kur WikiLeaks publikoi një video xhirim të fshehtë të Ushtrisë Amerikane në të cilin shihen se si helikopterët Apache në Bagdad vrasin disa dhjetëra njerëz, duke përfshirë edhe dy të punësuar të agjencisë së lajmeve Reuters.

Përkrahësit e konsiderojnë hero i cili e zbuloi keqpërdorimin e fuqisë së shteteve moderne dhe simbol të fjalës së lirë. Mirëpo kritikët pretendojnë se ai është person i rrezikshëm i cili në marrëveshje me Rusinë po përpiqet ta rrezikojë sigurinë perëndimore dhe amerikane dhe nuk e konsiderojnë gazetar./Insajderi.com.