Gazetari italian: Me paratë e Muriqit do të bleja një mbrojtës

Gazetari italian: Me paratë e Muriqit do të bleja një mbrojtës

Transferimi i sulmuesit të Kosovës, Vedat Muriqi, nga Fenerbahce te Lazio ka ngjallur kritikat e para në Itali. Gazetari italian i “Rai Sport” Stefano Matei, e konsideroi të pakuptimtë blerjen për 20 milionë eurosh të Muriqit, njofton Insajderi.

“Liga e Kampionëve të konsumon shumë energji në aspektin fizik dhe mendor. Duhet të kuptojmë se Lazio ka shumë lojtarë të dëmtuar që e bën të vuajë në kampionat”, tha fillimisht gazetari italian.

“Blerjet e reja? Flares nuk më duket i jashtëzakonshëm, vrapon shumë në krah, por nuk arrin të japë pasimin e fundit. Eskalante më duket lojtar i mirë, po ashtu dhe Akpa”, foli gazetari për disa nga blerjet e Lazios.

Kur erdhi puna te sulmuesi kosovar, Matei tha: “Sinqerisht, nuk arrij ta kuptoj blerjen e Muriqit, për më tepër se si i shpenzuan 20 milionë euro. Ai më ngjan si ‘Caicedo i bardhë’. Kam dyshime të mëdha se mund të ndryshojë fytyrën e ekipit. Do të kisha shpenzuar ato para për të blerë një mbrojtës, një transferim me parametëra zero për sulmin do të ishte perfekt”, ku sipas gazetarit italian, parat e shpenzuara për Muriqin nuk ishte gjë e zgjuar nga klubi lacial. /Insajderi.com