Gjashtë rebelë të opozitës janë vrarë nga ushtria pas disa ditësh përplasjesh në Mianmar, tha të dielën një forcë mbrojtëse anti-grusht shteti i përbërë nga civilë, pasi Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara dënuan dhunën e ushtrisë ndaj civilëve, transmeton Insajderi.
Që kur ushtria mori pushtetin në një grusht shteti të 1 shkurtit, duke ndaluar dhe rrëzuar udhëheqësen civile Aung San Suu Kyi, një kryengritje mbarëkombëtare ka refuzuar të tërhiqet nga kërkesat e saj për një kthim në demokraci, raporton Al Jazeera.
Bombat raportohen çdo ditë dhe milicitë lokale janë formuar për t’u përballur me ushtrinë, ndërsa protestat anti-ushtarake janë mbajtur në të gjithë vendin e Azisë Juglindore dhe sulmet nga kundërshtarët e grushtit të shtetit kanë paralizuar ekonominë.
Në shtetin perëndimor të Chin, qyteti Mindat është shfaqur si një pikë e nxehtë për trazira, ku disa banorë kanë formuar Forcën e Mbrojtjes së Chinland (CDF).
“Gjashtë anëtarë të CDF-së tonë të cilët u përpoqën të mbronin sigurinë e njerëzve në Mindat sulmuan [ushtrinë] dhe sakrifikuan jetën e tyre për revolucionin kombëtar”, tha një deklaratë e CDF të dielën.
Një zëdhënës gjithashtu i tha agjencisë së lajmeve AFP se më shumë se 10 anëtarë janë plagosur këtë javë, ndërsa pesë banorë të Mindat u arrestuan nga ushtria.
Me të dhënat e lëvizshme të bllokuara në të gjithë vendin, detajet rreth luftimeve kanë dalë ngadalë dhe verifikimi në terren është bërë më i vështirë pasi vendasit kanë frikë nga hakmarrja.
Zëdhënësi, i cili nuk pranoi të emërohej, tha se luftëtarët e CDF-së u vunë flakën disa kamionëve të ushtrisë, duke i shkatërruar ato dhe duke zënë pritë trupat e përforcimit, ndërsa ushtria ka sulmuar qytetin me artileri.
Deri të dielën, CDF ishte tërhequr në xhungël, tha ai.
“Ne nuk do të qëndrojmë më në qytet … por do të kthehemi së shpejti për të sulmuar”, tha ai. “Ne kemi vetëm armë shtëpiake. Kjo nuk ishte e mjaftueshme”.
Ai shtoi se banorët që mbetën në Mindat – i cili ka qenë nën ligj ushtarak që nga e enjtja – kishin frikë të linin shtëpitë e tyre nga frika se mos ishin në shënjestër nga ushtria. /Insajderi.com