Gjendet i vdekur personi i dyshuar për katër vrasje në Shibenik të Kroacisë

Gjendet i vdekur personi i dyshuar për katër vrasje në Shibenik të Kroacisë

Një burrë i dyshuar për kryerjen e katër vrasjeve në Shibenik dhe Vodice të Kroacisë është gjetur i vdekur pranë një makine në zonën Vodice, konfirmoi mbrëmë zëdhënësi i Departamentit të Policisë së qarkut Shibenik-Knin, Shime Paviç, transmeton Insajderi.

Më parë gjatë ditës, Departamenti i Policisë në Shibenik-Knin njoftoi se kishin pranuar dy paraqitje për katër persona të vdekur të cilët u gjetën në dy lokacione, raporton Anadolu Agency (AA).

Paviç tha se i dyshuari u gjet jo shumë larg makinës që policia po kërkonte gjatë ditës dhe se kishte një marrëdhënie të caktuar biznesi midis të dyshuarit dhe të vrarëve, por se hetimet do të përcaktojnë se çfarë marrëdhëniesh kishte mes tyre dhe nëse kjo ishte shkaku i krimit.

Duke komentuar shqetësimin e qytetarëve për shkak të të shtënave të armëve, Paviç tha se policia mori kontrollin menjëherë pas paraqitjes, vendosi pika kontrolli në hyrjet dhe daljet nga Shibeniku, duke deklaruar se qytetarët mund të jenë të qetë. /Insajderi.com