Gjendje alarmuese në restaurantet e KFC-së

Gjendje alarmuese në restaurantet e KFC-së

Sektori i industrisë së ushqimit në Kosovë është një nga sektorët me rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë së vendit, për lobimin e vendit në shtetet e tjera të botës si dhe për stabilitetin ekonomik dhe atë social të tij. Një vend i qëndrueshëm dhe i fuqishëm konsiderohet parakusht për tërheqjen dhe për rritjen e investimeve të huaja direkte. Marrë parasysh këtë, edhe kompania KAN sh.p.k.- KFC Kosova, ndërkombëtarisht e njohur ka hyrë në tregun Kosovar.

Gjatë pesë ditëve të fundit në restaurantet e KFC Kosova kanë ndodhur katër vjedhje të njëpasnjëshme në Gjakovë, Pejë, Ferizaj dhe Prizren. Për të gjitha këto vjedhje është lajmëruar Policia Rajonale e Kosovës së secilit qytet përkatës, ku kanë hapur hetime, mirëpo ende nuk ka ndonjë përgjigje konkrete, përderisa vjedhjet kanë vazhduar edhe pas rastit të parë. Për fat të keq, këto plaçkitje të cilat konsiderohen kërcënim për biznesin dhe shoqërinë, kanë arritur përmasa alarmuese. Shqetësimi për këtë çështje konsiderohet jo vetëm goditje kundër zhvillimit ekonomik të vendit, por cënon sigurinë e punëtorëve të cilët japin kontributin e tyre në këtë kompani dhe vullnetin e njerëzve që janë të gatshëm të investojnë në këtë vend. Vjedhjet në restaurantet e KFC-së jo vetëm që po krijojnë një mjedis të pasigurt në sytë e qytetarëve, por po krijojnë një bindje pasigurie dhe ndjesi vetmie, pa mbështetje nga institucionet dhe personat kompetent. Nga ana tjetër, në sytë e investitorëve të huaj, këto plaçkitje po japin një bindje të paqëndrueshmërisë së rendit dhe sigurisë publike të vendit tonë, që do të thotë se dëmi më i madh po u shkaktohet shtetit të Kosovës, qytetarëve të saj, pastaj edhe bizneseve.