Gjenerali i NATO-s paralajmëron: Aleanca nuk duhet të sillet si qengj ndaj Rusisë

Gjenerali i NATO-s paralajmëron: Aleanca nuk duhet të sillet si qengj ndaj Rusisë

Shefi i Komitetit Ushtarak i NATO-s, gjenerali çek Petr Pavel mohon se në Evropë po kthehet Lufta e Ftohët, mirëpo paralajmëron Perëndimin se Rusia është në epokën e re të rivalitetit me format e reja hibride, dhe se Aleanca nuk guxon të sillet si qengj sepse kështu ujqit rus nuk do ta respektojnë.

“Mendoj se Lufta e Ftohët në formën të cilën e dimë nuk po kthehet. Rivaliteti po zhvillohet pandërprerë dhe po i merr format e reja. Sot shumica po i përdorin shprehjet si luftë hibride, kibernetike apo informative. Pikërisht kjo është shprehja e rivalitetit të ri. Po zhvillohet në fusha tjera të cilat nuk janë hulumtuar mirë siç ka qenë rasti gjatë Luftës së Ftohët me armë konvencionale apo bërthamore”, ka thënë gjenerali Pavel në një intervistë dhënë për revistën çeke Tiden.

Zyrtari i lartë i NATO-s ka paralajmëruar se në fushat e reja të rivalitetit ende nuk janë vendosur rregullat e lojës, siç ka qenë gjatë Luftës së Ftohët kur ka qenë e qartë se cilat masa duhet ndërmarrë për ta zvogëluar kërcënimin e konfliktit të vërtetë.

“Tani për tani ky është rivaliteti i parregulluar. Duhet përsëri t’i fuqizojmë disa aftësi tona të cilat i kemi lënë pas dore, siç janë forcat mbrojtëse, aviacioni, shërbimet informative. Kundërshtarët tanë eventual apo konkurrentët i kanë këto kapacitete dhe nuk hezitojnë t’i përdorin. Nëse sillemi si qengjë, ujqit nuk do ta respektojnë shumë gjatë sjelljen tonë paqësore”, ka thënë gjenerali Pavel, transmeton Insajderi.com.

Gjenerali çek ka theksuar se me rritje të terrorizmit dhe kthim të Rusisë në mes të kërcënimeve të sigurisë është kthyer edhe nevoja që NATO të fillojë të insistojë në politikën e vjetër të frikësimit e jo sikur deri tani të vazhdojë me theks të partneritetit.

“Nuk është qëllimi që të gjithë të frikësohen deri në palcë apo që NATO të bëhet agresor. Por pikërisht me shfaqje  të Rusisë dhe akterëve tjerë të cilët kanë kapacitete të papërfillshme përsëri doli në plan të parë nevoja e frikësimit ushtarak”, ka thënë Pavel.

Gjenerali çek ka shtuar se edhe tani NATO po i ndërmerr hapat vetëm si reaksion në ndonjë aksion agresiv.

“Shpesh jam përballur me qëndrimin se vendosja e njësiteve të NATO-s në republikat baltike do ta shtynte Rusinë që ndërmarr masa ushtarake. Por të shikojmë prapa se si ka qenë në të vërtetë, cila ka qenë gjeneza. Së pari Rusia e ka aneksuar Krimenë dhe në mënyrë intensive i ka mbështetur separatistët në Donbas në lindje të Ukrainës. Tek atëherë NATO vendosi të reagojë”, ka thënë Petr Pavel.

Shefi i Komitetit Ushtarak  ka përkujtuar se edhe atëherë hapat të cilat i ka ndërmarr NATO në fuqizimin e krahut të tij lindor kanë qenë mesatare, gjegjësisht gjithsej katër batalione, derisa në pjesën e Rusisë po formohen  divizione dhe brigada të tëra, kështu që, hapi i NATO-s nuk ishte aq frikësim i Rusisë vetëm se manifestim i vullnetit politik që të mos lejohet agresioni i saj ndaj asnjë anëtare e NATO-s./Insajderi.com.