Gjermani: Katër të vrarë në spital, arrestohet një punonjëse

Gjermani: Katër të vrarë në spital, arrestohet një punonjëse
Burimi i fotografisë: REUTERS/Michele Tantussi

Policia në Gjermani arrestoi një punonjëse të spitalit të moshës 51 vjecare dhe hapi një hetim për vrasje pasi katër persona u gjetën të vdekur dhe një tjetër u plagos rëndë në një klinikë pranë Berlinit, shkruan Reuters, transmeton Insajderi.

Policia tha se ata kishin mbërritur rreth orës 21:00 të mërkurën ku gjetën njerëz me lëndime fatale në disa dhoma të një pavioni në Klinikën Oberlin, një spital special ortopedik në Potsdam, kryeqyteti i Brandenburgut, shteti që rrethon Berlinin.

“Në bazë të informacionit në dispozicion, të gjitha dëmtimet e viktimave ishin rezultat i një dhune serioze nga një palë e tretë”, tha policia në një deklaratë.

Gazeta rajonale Tagesspiegel tha se ata ishin sulmuar me thikë. Ajo tha se viktimat ishin pacientë, disa prej të cilëve kishin aftësi të kufizuara aq të rënda sa kishin nevojë për mbështetje të frymëmarrjes.

Duke cituar burime policore, gazeta tha se e dyshuara i kishte thënë burrit të saj kur arriti në shtëpi se ajo kishte vrarë njerëz atë ditë, pas së cilës ai thirri policinë.

Nuk kishte asnjë informacion në lidhje me ndonjë motiv. /Insajderi.com