Gjermania në hall: Çfarë të bëjmë me ujqit?

Gjermania në hall: Çfarë të bëjmë me ujqit?

Disa krahina federale gjermane e kanë nisur iniciativën e cila do të mund të lejojë vrasje më të lehtë të ujqve, numri i të cilëve viteve të fundit është rritur dukshëm, transmetojnë sot mediet gjermane.

Vetëm  vitin e kaluar janë shënuar më tepër se 600 sulme të ujqve ndaj kafshëve shtëpiake, kryesisht në delet dhe dhitë.

Ministrat e bujqësisë të krahinave më të rrezikuara siç janë Saska e Poshtme, Saska dhe Brandenburgu, kanë sqaruar  se mbrojtja e ujqve edhe më tutje ka “prioritet absolut”, mirëpo njëkohësisht janë të nevojshme masat për mbrojte të njerëzve dhe bagëtive të tyre.

“Në momentin kur ujqit i afrohen vendbanimeve dhe njerëzit frikohen për fëmijët e tyre të cilët luajnë nëpër parqe, gjërat bëhen më serioze dhe ne duhet të reagojmë”, ka deklaruar ministri i bujqësisë i krahinës federale Meklanburg – Pmerania e Përparme, Till Bakehouse, transmeton Hina.

Siç pretendohet, duhet të definohet se deri në cilën masë ujqit mund të afrohen vendbanimeve, dhe sipas iniciativës duhet të mundësohet futja e zonave pa ujq.

Deri tani në Gjermani janë vrarë dy ujq të cilët kanë treguar sjellje të panatyrshme dhe të cilët janë afruar tepër vendbanimeve.

Njerëzit dhe bujqit tregojnë se ekzistojnë më shumë se 1.000 ujq të rritur, por mbrojtësit e ambientit përmendin vetëm 150 sish, derisa përfaqësuesit e krahinave federale flasin për 600 ujq ku çdo vjet numri i tyre rritet për 200.

Në Gjermani ujqit janë çrrënjosur në shekullin e 19, por në njëzet vitet e fundit popullata e tyre po rritet pasi kopeja e parë ka arritur, besohet, nga Polonia.

Sipas ligjit gjerman për mbrojtje të llojeve të rrezikuara, dhe sipas direktivës së BE për mbrojtje të florës dhe faunës së egër, ujku është lloji i kafshës së mbrojtur./Insajderi.com.