Sikurse para situatës së krijuar nga Coronavirusi, edhe tani Gjermania po kërkon të rimarrë në punëtorë ish-infermierë në mënyrë që situata të mos dalë nga kontrolli, transmeton Insajderi.
Kur Gjermania u përfshi nga vala e parë e pandemisë së Coronës, Susana Wiegand doli vullnetare për të punuar si infermiere. Në spitalin “Berliner Charite” ajo punon me orar të kufizuar në një pavion të intensivit.
“Nuk ndjehem mirë me veten të rri në shtëpi, kur kolegët e mi në pavionin intensiv strapacohen, kur e di që unë jam e specializuar për këtë dhe mund të ndihmoj shumë mirë. Prandaj po e bëj, është diçka e vetëkuptueshme për mua”, thotë Susanna Wiegand, raporton DW.
Sistemi shëndetësor gjerman e ka përballuar deri më tani situatën, megjithë numrin në rritje të infektimeve, por gjithnjë e më shpesh dëgjohet, se pavionët e trajtimit intensiv në spitalet gjermane po arrijnë kufijtë e kapaciteteve të tyre.
Judith Heepe, drejtoreshë e infermierisë në Charite flet për problemet e sistemit shëndetësor gjerman.
“Ne kemi mjaft aparate intubimi. Kemi plot vend për shtretërit intensivë, po ashtu nuk na mungojnë materialet e mjetet. Ajo që na shqetëson, është se të gjithë ata shtretërit intensivë që jepen si shifra mund të shërbehen vetëm pjesërisht, kjo sepse thjesht na mungon personeli”, është shprehur ajo. /Insajderi.com