Gjermania shënon 944 viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit

Gjermania shënon 944 viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit

Me 944 vdekje të raportuara në 24 orët e fundit, numri zyrtar i vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Gjermani arriti në 35.518, bëri të ditur agjencia e kontrollit të sëmundjeve të këtij vendi, transmeton Insajderi.

Instituti Robert Koch (RKI) konfirmoi 11.897 raste të koronavirusit në 24 orët e fundit, nga 9.847 të regjistruar të hënën, raporton Anadolu Agency (AA).

Por instituti tha se shifrat e fundit mbi rastet e reja duhet të interpretohen me kujdes për shkak të raportimit të vonuar gjatë periudhës së festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

“Nëse numri i infeksioneve në të vërtetë po zvogëlohet do të bëhet e qartë vetëm gjatë ditëve të ardhshme”, vunë në dukje ekspertët e RKI-së.

Deri të hënën, 5.744 pacientë të sëmurë rëndë me koronavirus po merrnin trajtim në njësitë e kujdesit intensiv, me 3.211 prej tyre në ventilator. /Insajderi.com