Gjermania shënon më pak raste të reja të koronavirusit në 24-orëshin e fundit

Gjermania shënon më pak raste të reja të koronavirusit në 24-orëshin e fundit

Instituti për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” njoftoi se 2,458 raste të reja të koronavirusit janë shënuar në Gjermani gjatë 24 orëve të kaluara.

Shifra e re ishte më e ulët se 3,609 rastet e raportuara të shtunën, por ky mund të jetë rezultat i “efektit fundjavë”, kur kryhen më pak testime. Gjatë ditëve të para të javës, rastet e reja shënuan rritje për katër ditë me radhë.

Numri i viktimave gjatë 24 orëve të kaluara u rrit për 184 dhe shkoi në 4,294, njoftoi instituti. Kjo shifër ishte dukshëm më e ulët se 242 viktimat e raportuara të shtunën dhe 299 të vdekurit e raportuar të premten, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Gjermania është një prej vendeve me numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus në Evropë, por ka shumë më pak të vdekur në krahasim me Italinë, Spanjën, Francën dhe Britaninë e Madhe.

Qeveria gjermane pritet që t’i largojë disa nga masat e kufizimeve në pjesën e parë të muajit maj për ta riaktivizuar ekonominë e goditur rëndë. Masa të ngjashme tashmë kanë marrë Italia, Austria, Spanja, Danimarka dhe disa vende të tjera.