Gjermania ka vendosur të zgjasë bllokimin deri më 31 janar me qëllim për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), si dhe miratoi masa më të rrepta për të luftuar valën e dytë të pandemisë, transmeton Insajderi.
Kancelarja Angela Merkel njoftoi masën pas një takimi përmes video-konferencës me kryeministrat e 16 shteteve federale, raporton Anadolu Agency (AA).
Merkel tha se numri i infeksioneve të reja në Gjermani ende është shumë i lartë dhe se lloji i ri i koronavirusit i zbuluar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar ishte një burim i një shqetësimi të madh.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm tani. Kjo është një situatë e re dhe e jashtëzakonshme”, tha Merkel, duke u bërë thirrje qytetarëve që në tre javët e ardhshme të reduktojnë kontaktet shoqërore në minimum dhe të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë të jetë e mundur.
Sipas vendimeve të marra në takim, shkollat, kopshtet ditore dhe të gjitha dyqanet jo thelbësore do të qëndrojnë të mbyllura në të gjithë vendi të paktën deri më 31 janar.
Në zonat ku numri i infeksioneve është mbi 200 në 100 mijë kokë banori, autoritetet lokale do të ndalojnë qytetarët të udhëtojnë përtej një rrezeje prej 15 kilometrash larg vendbanimit të tyre.
Masa më të rrepta të qeverisë vijnë pasi Gjermania javët e fundit raportoi numër rekord të infeksioneve dhe vdekjeve.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve nga koronavirusi ka arritur në 35.518, përfshirë 944 vdekje të regjistruara brenda 24 orëve të fundit.
Pavarësisht masave të jashtëzakonshme që janë marrë në dy muajt e fundit për të përmbajtur shpërthimin, Gjermania ishte larg arritjes së synimit të saj për uljen e infeksioneve të reja në më pak se 50 në 100 mijë kokë banori.
Instituti Robert Koch tha se gjatë shtatë ditëve të fundit shkalla e infeksioneve ishte 134.7 raste në 100 mijë kokë banori, gati tre herë më i madh sesa synimi i qeverisë.
Gjermania renditet në vendin e pestë në Evropë për sa i përket numrit të infeksioenve, pas Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë dhe Spanjës.
Numri i përgjithshëm i infeksioneve në Gjermani ka tejkaluar shifrën 1.78 milionë. /Insajderi.com