Me gjeste të majmunëve – tifozët e fyejnë në baza racore futbollistin e Dritës

Me gjeste të majmunëve – tifozët e fyejnë në baza racore futbollistin e Dritës

Përparim Livoreka u bë objekt i fyerjeve raciste në ndeshjen e xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës në futboll, ndërmjet Gjilanit dhe Dritës.

Futbollisti nga Kaçaniku, me etni shqiptare – njëjtë sikurse 22 lojtarët e tjerë që zbritën në fushën e “Stadiumit të Qytetit” në Gjilan të enjten, u trajtua ndryshe nga pjesa tjetër e futbollistëve, raporton Gazeta Online Insajderi.

Tifozët e skuadrës së Gjilanit, të njohur me emrin “Skifterat”, përveç se e fyen në baza racore duke e quajtur “maxhup”, filluan të bënin gjeste të majmunëve në drejtim të tij. Gjestet dhe fyerjet raciste të tifozëve të Gjilanit janë video-inçizuar nga Gazeta Online Insajderi.

“Hu-hu”, dëgjoheshin teksa bënë disa herë gjatë ndeshjes derbi të futbollit kosovar tifozët e Gjilanit, duke imituar majmunët për të ofenduar Livorekën, 30-vjeçar, sa herë që futbollisti i Dritës kishte kontakte me topin.

E disa tifozë të tjerë dëgjoheshin teksa e thërrisnin “maxhup”, futbollistin shqiptar të Superligës së Kosovës.

Si profesionist brenda e jashtë fushës së lojës veproi Livoreka. Futbollisti nuk iu kundërvy asnjëherë tifozëve gjilanas që ishin të vendosur në tribunën lindore të “Stadiumit të Qytetit” në Gjilan.

Pasi përfundoi takimi mes Dritës e Gjilanit, në një bisedë për Insajderin, Livoreka tha se nuk është ndier keq nga fyerjet raciste të tifozëve të Gjilanit, dhe për këtë tha se ka një arsye. I cilësoi të pakulturuar “Skifterat”.

“Unë kam ndëgjuar për ata, se janë tifozët më të pakulturuar. Nuk më kanë bërë të ndjehem keq, vetëm se kultura e tyre tregon nga vijnë ata”, deklaroi sulmuesi i Dritës. “Ata me ato fyerje vetëm se më motivojnë”.

Fyerje të tilla raciste konsiderohen të papranueshme nga institucioni më i madh i futbollit në Evropë, UEFA, e cila përmes futbollit tenton të luftojë racizmin në Evropë. Madje, slogani kryesor i këtij institucioni është “Thuaj Jo Racizmit”.

Racizmi i shfaqur në futboll dënohet rëndë në shumicën e shteteve të Evropës.

Në vitin 2013, në një ndeshje miqësore mes skuadrës së famshme italiane Milan dhe skuadrës së vogël italiane Pro Patria ishte ndërprerë në minutën e 25-të të takimit. Shkak për këtë ndërprerje ishin gjestet prej majmunëve që kishin bërë tifozët e Pro Patria ndaj futbollistit ganez Kevin-Prince Boateng.

Pas 25 minutave, pas fyerjeve raciste, durimit të futbollistit të Milanit i kishte ardhur fundi. Ai e kishte kapur topin në dorë dhe e kishte lënë fushën. Federata Italiane e Futbollit e kishte dënuar skuadrën e Pro Patrias.

Por, një veprim të tillë nuk e sheh të nevojshëm Përparim Livoreka. Ai thotë se nuk do ta linte asnjëherë fushën e lojës, sepse kultura e tifozëve që ofendojnë në baza raciste, siç thotë futbollisti shqiptar, është nën zero.

“Asnjëherë [nuk do e kisha lëshuar fushën], sepse kultura e tyre është nën zero”, shprehet Livoreka.

Ndeshja kryesore e xhiros së shtatë të Superligës, ndërmjet Dritës dhe Gjilanit, përfundoi në barazim 1-1. Golat e ndeshjes u shënuan nga Betim Haxhimusa për Gjilanin dhe Xhevdet Shabani për Dritën. /Insajderi.com