Netflix ka transformuar televizionin. Atë e duan investitorët, konsumatorët dhe politikanët. Sa mund të zgjasë kjo?

Firma të mëdha teknologjike po krijojnë reagime ekstreme dhe konfliktuese. Investitorët i duan ata për rritjen stratosferike dhe ambicien e tyre të pangopur: grupi FANG i aksioneve teknologjike duke përfshirë Facebook, Amazon, Apple, Netflixi dhe Alphabet (kompania mëmë e Google), vlen më shumë se e gjithë FTSE 100.
Pa investitorët që të fuqizojnë rritjen e tyre, tregu i aksioneve të Amerikës do ishte rrëzuar këtë vit. Prapëseprapë ‘përplasja teknologjike’ ka ngatërruar gjithashtu të gjithë gjigantët e teknologjisë në të gjitha llojet e polemikave, nga abuzimi me të dhënat dhe sjellja jo konkurruese te shmangia e taksave dhe varësia nga smartphonët. Ata janë bërë firmat që politikanët duan më shumë të urrejnë.
Të gjithë përveç njërit. I vetëm mes gjigantëve, Netflix është një përjashtim i qartë nga ky miks aksionesh me çmime fluturuese dhe dyshimesh. Që nga themelimi në 1997, kompania ka pësuar një metamorfozë nga një kompani që jepte DVD me qira, në fuqinë e parë në botë televizive të transmetimit të videove në shtëpi.
Këtë vit prodhimet e saj në fushën e argëtimit do të tejkalojnë çdo rrjet tjetër televiziv; produksioni i saj me mbi 80 filma është shumë më i madh se ai i çdo studioje Hollivudi. Netflixi do të shpenzojë 12 deri në 13 miliardë $ në përmbajtjen e saj këtë vit, 3 deri në 4 miliardë $ më shumë se vitin e kaluar. Vetëm shpenzimi ekstra do të ishte i mjaftueshëm për të paguar të gjithë programet e HBO apo BBC.
Kompania u shërben 125 milionë familjarëve, dyfishin e atyre që kishte në 2014, që e shohin Netflixin për më shumë se dy orë në një mesatare ditore, duke zënë kështu një të pestën e sasisë së videove që qarkullon në internet sot në botë. (Kina është i vetmi treg i madh në të cilin Netflixi nuk lejohet të veprojë). Progresi i saj ka pasqyruar ‘dezertimin’ e shikimit tradicional të televizorit: Amerikanët e moshave 12 deri në 24 shohin TV kabllor sa gjysma e asaj që shihnin në 2010.
Në mënyrë unike krahasuar me kompanitë e tjera që e kanë reformuar këtë industri në vitet e fundit, Netflixi e ka hapur rrugën e transformimit të saj pa provokuar ndonjë reagim publik si reklamator. Me një çmim aksioni që e ka kaluar dyfishimin që nga fillimi i vitit, është po aq i familjarizuar me investitorët sa është me konsumatorët. Kjo që sapo thamë më lart ngre tri pyetje. Cilat janë mësimet që kompanitë e tjera marrin nga Netflixi? Çfarë mund të mësojë pjesa tjetër e grupit FAANG nga suksesi i saj? Dhe a mund të vazhdojë t’i mbajë të gjithë të kënaqur?
Perëndimi i Hollivudit
Nisim nga firmat e tjera të medias. Mogulët që dikur me dëshirë i dorëzonin Netflixit përmbajtjen e tyre si një burim ekstra të ardhurash tani po përpiqen të zvarritur për të konkurruar me të.
Rezultati është një furi marrëveshjesh shitblerjeje, me AT&T që bleu Time Warner dhe Disney me Comcast që po luftojnë për kafshatat e 21st Century Fox. Gjithsesi konsolidimi është vetëm një pjesë e përgjigjes për firmat komerciale të argëtimit.
Ata gjithashtu duhet të ndjekin shembullin e Netflixit për të përdorur internetin për t’u ofruar konsumatorëve çmime të ulëta dhe një larmishmëri zgjedhjesh.
Netflix tani ka më shumë abonentë jashtë Amerikës se sa brenda saj.
Nga Meksika në Indi njerëzit tani shohin “Narcos” dhe “Stranger Things” në një komunitet të gjerë planetar të apasionuar pas teleshikimit.
Kategorizimi i preferencave individuale në rreth 2000 ‘grupime shijesh’ për t’u shërbyer shfaqje të ndryshme, përdoruesve të ndryshëm, përfshirë brenda një familjeje madje duke bërë edhe sugjerime e bën Netflixin një ekspert në përdorimin e të dhënave.
Ky kombinim i sasisë dhe të dhënave shkencore ka një kohë të gjatë që ka qenë vula dalluese ndërmjet firmave teknologjike.
Amazon, Disney dhe kompani të tjera po rafinojnë shërbimin e tyre të videove kundrejt konsumatorëve. Por megjithatë shumica e kompanive të multimedias kanë shumë për të rikuperuar.
Të tjerë gjigandë të teknologjisë munden edhe ata gjithashtu të mësojnë nga Netflixi. Krahasuar me kompani të tjera të grupit FAANG, kjo firmë dallon nga ato.
Në dallim nga Google dhe Facebook, Netflix ka devijuar qartazi nga lajmet dhe më shumë është fokusuar tek argëtimi. Kjo e ka mbrojtur nga skandalet e lajmeve false, manipulime elektorale dhe grupimeve politike. Dhe në dallim nga platformat që bazohen në reklama, përshkrimi i modelit të biznesit të Netflixit tregon që firma nuk mbështetet në shitjet e të dhënave të përdoruesve apo vëmendjes që i kushtohet atyre që nuk janë pjesë e platformës. Në vend të kësaj u ofron përdoruesve një shkëmbim të thjeshtë: një pagesë mujore në këmbim të asaj çfarë ata duan të shohin në televizor. Ndryshe nga të gjithë të tjerët në grupin FAANG të cilët janë globalë, por padiskutueshmërisht amerikanë, Netflix po bëhet në të vërtetë ndërkombëtare: bën shfaqje televizive në 21 vende, duke i dubluar dhe duke u vënë titra në gjuhë të ndryshme. Firmat e tjera të teknologjisë nuk do e ndërrojnë mënyrën se si ato bëjnë biznes; ata funksionojnë shumë mirë. Por ato akoma mund të mësojnë nga Netflixi: që t’i përdorin të dhënat me kujdes të madh, që të jenë më të qartë me kushtet e kontratave me klientët e tyre dhe të tregojnë me shumë respekt për tregjet lokale.
Ngritja e radhës: shtëpia e letrave
Nëse atribute të tilla ndihmojnë të shpjegohen arsyet pse firma ka arritur të shmangë kolapsin e teknologjisë, ata nuk mund të na sigurojnë që do t’i mbajnë të gjithë të kënaqur. Rreziku afatshkurtër është financiar. Vlerësime të nxituara janë të zakonshme në të tilla momente, por Netflixi akoma qëndron në nivele të larta. Fitimet operative neto të Netflixit për një dekadë janë të barabarta me thuajse gjysmën e fitimeve të bëra nga të gjitha firmat amerikane të argëtimit këtë vit. “Nëse Jezusi do të ishte aksion ai do të ishte Netflix”, ka thënë një investitor me eksperiencë”. “Mos e beso po deshe”.
Ka shumë arsye për të patur dyshime. Kompania ka akumuluar 8.5 miliardë $ borxh. Reed Hastings, shefi ekzekutiv i Netflixit, ka thënë se do të vazhdojë të marrë hua miliarda “për shumë vite”; qarkullimi i parasë pritet të qëndrojë negative për disa kohë. Ajo strategji do të jepte rezultat nëse Netflixi do t’i rriste çmimet dhe do të vazhdonte të shtonte abonentë- 26 milionë në 12 muaj deri në 31 Mars. Por konkurrenca po bëhet më intensive. Dhe në vendet pa mbrojtje ndaj “neutralitet të internetit”, pronarët e rrjetit wireless apo infrastrukturës së shpërndarjes së internetit që gjithashtu zotërojnë prodhuesit e materialeve që transmetohen mund ta përdorin fuqinë e tyre të shpërndarjes për të favorizuar materialet e tyre.
Rreziku afatgjatë për Netflixin, në mënyrë paradoksale, është nëse vlerësimi i sotëm vërtetohet të mos jetë shumë i lartë, por i saktë. Kolapsi i teknologjisë është nxitur pjesërisht nga frikat se platformat digjitale të centralizuara do të mbysnin konkurrencën.
Disa dyshojnë se Netflixi ka tendencën të monopolizojë tregun e televizioneve. Një lëvizje e tillë do të përqendronte sasi të stërmëdha pushteti kulturor në duart e disa komisionerëve dhe algoritmave. Do të reduktonte audiencën e shërbimeve publike të televizioneve dhe duke rrezikuar për t’i lënë përdoruesit më të varfër, me më pak mundësi argëtimi me kosto të ulëta. Dhe do të ishte shumë më e vështirë për të shmangur vëmendjen e rregullatorëve të tregut. Ja ku është leksioni i fundit që marrim nga Netflixi dhe të gjitha kompanitë teknologjike.
Për t’i mbajtur konsumatorët, rregullatorët dhe politikanët të kënaqur për një kohë të gjatë nuk ka zëvendësues për konkurrencën.