Gjilani ka shënuar fitoren e dytë radhazi në Superligë, teksa në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të kampionale, ka mposhtur minimalisht 1:0 mysafirët nga Drenasi, ekipin e Feronikelit, njofton Insajderi.
Takimi filloi me një ritëm të lartë pasi ishte ndeshje e hapur nga të dyja palët, që asnjëra nuk mbrohej në zonën e vet, por kërkonin sa më parë të shënonin golin e avantazhit.
Goli i vetëm në këtë takim e shënoi Gerhard Progni, sulmuesi nga Shqipëria, i cili shënoi në minutën e 20-të të ndeshjes.
Më pas, nikoqirët kishin edhe një mundësi tjetër të mirë shënimi pasi Keita Razak (36’) nuk u tregua i saktë nga pika e bardhë.
Pjesa ë dytë vazhdoi me ritëm të njëjtë, mirëpo asnjëra palë deri në fund nuk arriti të shënonte, duke bërë që takimi të mbyllej me rezultatin e parë të ndeshjes, 1:0.
Me këtë fitore, ekipi i Munishit përforcon vendin e katërt në ligë me 43 pikë, ndërsa Feronikeli pas kësaj disfate mbetet në vendin gjashtë me 34 sosh. /Insajderi.com