Janë mbyllur dy sfidat e filluara nga ora 13:00 në Superligën e Kosovës në futboll të vlefshme për javën e 25-të, njofton Insajderi.
Gjilani ka mposhtur me shifrat 2:1 ekipin e Trepçës ’89, ku dy golat për nikoqirët i shënoi Gerhard Progni (4’-50’), teksa golin e vetëm për miqtë nga Mitrovica e shënoi Berisha, katër minuta para mbylljes së takimit.
Në ndeshjen tjetër, Drenica dhe Arbëria kanë luajtur baras 1:1 në stadiumin ‘Bajram Aliu’. Fillimisht kaluan vendasit në epërsi me Gjonin në minutën e 31-të, ndërsa në pjesën e dytë barazuan rezultatin mysafirët nga Lipjani. Autor i golit ishte Kashtanjeva (81’).
Gjilani me këtë fitore mbetet në vendin e katërt me 36 pikë, Trepça ’89 përkundër disfatës, ruan pozitën e pestë me 32 sosh.
Drenica dhe Arbëri mbesin në vendet nëntë dhe tetë me një pikë diferencë mes tyre, ku Arbëria ka 27 pikë, përkundër 26 të ekipit nga Skenderaj. /Insajderi.com