Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrur disa trupa nga gërmadhat sot, tri ditë pas eksplodimit masiv, duke lënë të vdekur afër 150 persona e mijëra të tjerë të lënduar, në kryeqytetin e Lebanonit, në Bejrut.
Derisa ekipet po kërkonin të tjerë të zhdukur, afër tyre ishin mbledhur njerëz që po prisnin me lot në sy me shpresën se mos gjinden të gjallë të afërmit e tyre, shkruan Fox News, njofton Insajderi.
Në mesin e katër trupave të gjetur sot, ishte edhe një djalë 23 vjeç që më vonë u kuptua si ishte Joe Akiki, një punëtor në portin e Bejrutit.
Trupi i tij u gjet nën gërmadha të një depoje e cila ishte bërë rrafsh me tokë nga shpërthimi.
Ekipet franceze dhe ruse të kërkimit me qenë, kanë kërkuar në zonën e portit gjatë gjithë ditës sot.
“Nga eksperienca kemi kuptuar se mund të gjejmë njerëz të gjallë edhe pas 70 orësh, apo 80 orësh, pas shpërthimeve, apo tërmeteve, prandaj konsideroj se jemi ende në kohë të gjejmë ndonjë person të gjallë dhe po bëjmë të pamundurën duke kërkuar”, ka thënë kolonel Vincent Tissier, shef i ekipit të kërkimit nga Franca./Insajderi.com