Përfaqësuesja e Kosovës –
Gjatë vitit 2020, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll nuk ka treguar fytyrën e asaj përfaqësuese që kishte në vitet pararendëse 2018-2019, ku me paraqitjet e saj dinjitoze, kishte bërë që të shkruanin edhe mediat më me renome botërore.
Vitin 2020 Kosova e filloi me një ndeshje miqësore me Suedinë, ndeshje të cilën e humbi me rezultat minimal 1:0.
Deri më tre shtator, nuk kishte filluar ndeshjet në Ligën e Kombeve në ligën C, shkaku i pandemisë së COVID-19.
Më tre shtator zhvilloi ndeshjen e parë, ndeshje të cilën barazoi si mysafir i Moldavisë me rezultat 1:1. Pastaj do vinte një seri prej tri disfatave njëra pas tjetrës, nga Greqia dhe Sllovenia në Prishtinë, mirëpo më e dhimbshme ishte ajo e zhvilluar në Shkup më tetë tetor ndaj Maqedonisë së Veriut në kuadër të finales së Play-Off të divizionit D të Ligës së Kombeve, finale të cilën e humbi Kosova 2:1.
Më tutje, Kosova kishte ndeshjet e kthimit në divizionin C të Ligës së Kombeve, ku fillimisht ishte mysafir i Greqisë në Athinë, ndeshje e cila u mbyll me rezultat 0:0, ndërsa në nëntor kishte tri ndeshje për të zhvilluar, fillimisht me 11 nëntor vëllazërorja miqësore ndaj Shqipërisë, ndeshje që u mbyll me fitoren e Shqipërisë 2:1.
Më 15 dhe 18 nëntor kishte dy ndeshjet e fundit në grup, humbi në Slloveni 2:1, ndërsa fitoi ndeshjen e fundit në grup, qe ishte edhe fitorja e vetme në vitin 2020, ndaj Moldavisë me rezultat 1:0. Kështu Kosova në Ligën e Kombeve, divizionin C, në grupin e tretë e përfundoi me një fitore, dy barazime dhe tri disfata, duke u renditur në vendin e tretë pas Sllovënisë (14), Greqisë (12) Kosova (5) dhe Moldavia e fundit në grup me vetëm një pikë.
Futbolli i Kosovës –
Superliga e Kosovës në futboll sezonin e ri 2019-2020 e kishte filluar normalisht, mirëpo në mars 2020 me daljen e parë të rasteve pozitive me Coronavirus, dhe me hyrjen në karantinë të vendit, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), kishte marrë vendim që të gjitha garat në të gjitha ligat futbollistike të pezulloheshin.
Me rikthimin e aktiviteteve sportive, Superliga u rikthye të vazhdonte ndeshjet kampionale, ku për titull luftonin tri skuadra, Drita, Gjilani dhe Ballkani, ndërsa vetëm në javën e fundit Drita fitoi titullin edhe pse me pikë të barabarta me Gjilanin nga 68 pikë, mirëpo në ndeshjet direkte ishin më të mirë se sa rivali lokal i qytetit Gjilani.
Në fund renditja kryesohej nga Drita, Gjilani dhe Ballkani, ndërsa Prishtina ishte e katërta, mirëpo kishte fituar Kupën e Kosovës duke mposhtur në finale Ballkanin.
Liga e Parë pas daljes së vendit nga karantina, nuk kishte vazhduar garat, duke bërë që ekipet si Besa dhe Arbëria të hynin në Superligë, ndërsa ekipet tjera si Malisheva, Istogu dhe Liria kishin protestuar te FFK-ja për ndërprerjen e garave dhe kishin kërkuar vazhdimin e kampionatit deri në xhiron e fundit, kërkesë të cilën e refuzoi FFK.
Pjesëmarrja e ekipeve kosovare në garat evropiane –
Drita si kampion i Kosovës në futboll, kishte fituar turneun para-kualifikues të Ligës së Kampionëve të mbajtur në Gjibraltar. Kështu duke iu mundësuar pjesëmarrja në xhiron e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve, ndeshje të cilën e humbën ndaj ekipit suedez Malmo.
Nga kjo humbje, Drita kaloi në fazën e dytë të Ligës së Evropës, mirëpo edhe nga kjo garë u eliminua, nga Dudelange.
Nga pjesëmarrja në garat kualifikuese evropiane, Drita u largua me fitime rreth 500 mijë euro të fituar nga UEFA.
Gjilani si nënkampion i Kosovës, kishte siguruar pjesëmarrjen në raundin preliminar të Ligës së Evropës, ndeshjen e parë e kishin fituar ndaj ekipit Tre Penne me rezultat 3:1, ndërsa në raundin tjetër ishin ndeshur ndaj ekipit qipriot të APOEL Nicosia-s.
Ndeshja ndaj APOEL ishte zhvilluar në Prishtinë, të cilën e humbën pas kohës shtesë me rezultat 2:0. Nga UEFA për pjesëmarrje në garat evropiane, Gjilani kishte fituar afër 200 mijë euro.
Prishtina si fitues i Kupës së Kosovës, gjithashtu kishte siguruar pjesëmarrjen në raundet preliminare të Ligës së Evropës. Shorti deshi që përball të kishte ekipin e Lincoln, ndeshja do të zhvillohej në Gjibraltar, por disa lojtarë të Prishtinës kishin dal pozitiv me COVID-19, duke bërë që Prishtina të humbiste ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0. Kështu u mbyll ëndrra evropiane për ekipin nga kryeqyteti.
Basketboll –
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), shkaku i pandemisë kishte pezulluar të gjitha garat në të gjitha kategoritë më 13 mars, ndërsa vendim FBK-ja kishte marrë në fund të muajit mars që kampionati të anulohej.
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll, luajti para-kualifikimet e Kupës së Botës 2023. Në muajin shkurt, Kosova mposhti Islandën dhe Luksemburgun, ndërsa në muajin nëntor, Kosova pësoi humbje në udhëtim nga Sllovakia dhe Islanda, derisa në shkurt 2021, “Dardanët” luajnë dy ndeshje në shtëpi ndaj Luksemburgut dhe Sllovakisë.
Arben Fetahu zgjidhet kryetar i FBK-së pa asnjë kundër-kandidat, për një mandate katër vjeçar.
Gjithashtu, gjatë muajit shtator, u themelua Liga Unike, mes Kosovës dhe Shqipërisë. Edhe pse nuk është jetësuar ende, kjo Ligë shihet si përafrim në mes të dy vendeve, ndërsa krahas saj një herë për njëherë do të kenë jetë edhe ligat nacionale.
Xhudo kosovare –
Edhe pse pandemia kishte ndikuar shumë në përgatitjen dhe garat e xhudistëve Kosovar, prapë se prapë xhudistët i sollën Kosovës medalje nga garat ndërkombëtare.
Nora Gjakova fitoi medaljen e bronztë në Grand Prix e Tel Aviv më 23 janar 2020;
Dardan Cena fito të artën, Arbër Kullashi të argjendtën dhe Anes Veseli të bronztën në Lignano të Italisë;
Distria Krasniqi të artën, ndërsa Nora Gjakova fitoi të bronztën në Grand Slam-in e Parisit;
Laura Fazliu dhe Shigeki Nakamura fituan të artën, ndërsa Flaka Loxha dhe Erza Mumoviqi fituan të argjendtën në Kupën Evropiane të Dubrovnikut;
Dardan Cena fitoi të bronztën në Kupën Evropiane U-18 në Bielsko Bala të Polonisë;
Distria Krasniqi fitoi të artën, ndërsa Loriana Kuka fitoi të bronztën
në Grand Slam-in e Budapestit;
Laura Fazliu fitoi të argjendtën në Kampionatin Evropian U-21, gjithashtu Fazliu fitoi edhe të bronztën U-23 në Poreç të Kroacisë;
Në Kampionatin Evropian të mbajtur në Pragë të Çekisë, Distria Krasniqi fitoi të bronztën, po ashtu edhe Loriana Kuka fitoi medaljen e bronztë.
Në muajin shkurt, në Pejë, u përurua shtatorja e Majlinda Kelmendit, ku morën pjesë Presidenti i federatës ndërkombëtare të xhudos, Marius Vizer, Ministrja për Kulturë, Rini e Sport Vlora Dumoshi, Presidenti i Komitetit Olimpik Besim Hasani, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës znj.Vjosa Osmani, Presidenti i Federatës së xhudos Agron Kuka, ish Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, Kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, zyrtarja e lartë e federatës ndërkombëtare të xhudos (IJF) Lisa Allan.
Boksi –
Boksierja kosovare Donjeta Sadiku, ka fituar medaljen e argjendtë në turneun “Ballkan”, në kategorinë deri në 60 kg, të mbajtur në Sofje të Bullgarisë.
Volejbolli –
Drita fitoi titullin kampion në konkurrencën e meshkujve, ndërsa kampione në konkurrencën e femrave ishte M–Technologie.
Në kategorinë e meshkujve, kampion në Superligën B ishte Vëllaznimi, ndërsa në konkurrencën e femrave kampion ishte Fushë Kosova.
Kupën e Kosovës në konkurrencën e meshkujve e fitoi Ferizaj, ndërsa në konkurrencën e femrave, Kupën e fitoi Drita.
Hendboll –
Në konkurrencën e meshkujve, titullin e fitoi Besa Famgas, ndërsa te femrat titullin e fitoi Ferizaj.
Kupën e Kosovës te meshkujt e fitoi Besa Famgas ndërsa te femrat Kupën e fituan vashat e KHF Vushtrrisë.
Besa Famgas, ka shënuar dy fitore të thella ndaj Bosna Visoko në raundin e dytë të Kupës Evropiane. Në raundin e tretë në ndeshjen e parë e mposhti ish-kampionin evropian, Boracin e Banjallukës. I mungoi fati në ndeshjen e dytë dhe për një gol nuk avancoi tutje.
KHF Istogu në raundin e tretë të Kupës Evropiane, e fitoi ndeshjen e parë ndaj skuadrës cilësore bjelloruse, Victoria Berestie. Por ndeshjen e dytë e humbi me një gol më shumë dhe nuk kaloi tutje. Edhe për Istogun u vlerësua se i mungoi fati në momentet e fundit.
Kombëtarja A ka luajtur një ndeshje të fuqishme ndaj Malit të Zi, ndonëse humbi./Insajderi.com