“Gjykata Komerciale, shtyllë e fortë për sistemin e drejtësisë”

“Gjykata Komerciale, shtyllë e fortë për sistemin e drejtësisë”

Ministri i Drejtësisë,  Selim Selimi,  ka marr pjesë në forumin e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës për të diskutuar për ekonominë gjatë pandemisë COVID 19 dhe se si do të ndihmojë në këtë Gjykata Komerciale.

Ministri Selimi tha se çështja e Gjykatës Komerciale ka dal nga Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit dhe është parë si shumë e nevojshme për t’iu qasur në mënyrë me serioze kontesteve komerciale, pra kontesteve në ekonomi.

“Ne e kemi departamentin që merret me çështjet ekonomike, por është vlerësuar se nuk është e mjaftueshme, prandaj kemi marrë iniciativë bashkërisht me partnerët tanë strategjikë, ShBA-në, që të fillojmë punën me një ndërmarrje më të madhe dhe më domethënëse duke e ditur faktin se  shumica e kontesteve ekonomike dhe investimeve të huaja tejzgjatën  në gjykata, e kjo përshkak të rasteve të grumbulluara, mungesës së gjyqtarëve, mungesës së ekspertizës, gjë e cila ka ndikuar në zbehjen e aktiviteteve ekonomike” tha Selimi.

Sipas ministrit Selimi, themelimi i Gjykatës Komerciale ia shton një shtyllë të fortë sistemit të drejtësisë, sepse i artikulon vetëm çështjet të cilat janë komerciale.

“Artikulimi në një shtyllë i çështjeve komerciale i zgjidhë ato me ekspertizë, ulë riskun  e të bërit biznes, riskun e kontesteve, riskun e fitimit sepse mbrohet  me një gjykatë e cila merret ekskluzivisht me këtë çështje. Kërkesa ime specifike për grupin punues ka qenë që të bëhet një panel i veçantë i cili do të merret vetëm me investimet direkte të huaja, ngase ka vullnet nga investitorët e huaj për të investuar në Kosovë, meqë plotësohen shumë kushte ekonomike, përfshirë fuqinë punëtore, politikat e favorshme të taksave, pozita gjeografike, infrastruktura. Poashtu, kam vërejtur se kontestet që ndodhin gjatë të bërit biznes tejzgjatën nëpër gjykata. Prandaj është e domosdoshme që të kemi një panel brenda gjykatës, i cili merret vetëm me investime direkte të huaja e kjo njëherit do të përçonte mesazhin se Kosova është e favorshme për të investuar, por edhe i mbron këto investime” ka thënë Selimi.

Sipas Ministrit Selimi, ky proces do të ketë edhe sfida por jo të patejkalueshme. Pjesa kryesore do të jetë pas aprovimit të ligjit i cili do të hap mundësi dhe ofron siguri për çdo biznes dhe investitor, theksoi Selimi. /Insajderi.com/