Gjykata ruse hedh poshtë apelin e Navalny-t

Gjykata ruse hedh poshtë apelin e Navalny-t

Një gjykatë ruse ka refuzuar ankesën e liderit të opozitës Alexey Navalny kundër arrestimit të tij ndërsa autoritetet arrestuan disa nga aleatët e tij dhe lëshuan paralajmërime për kompanitë e mediave sociale, transmeton Insajderi.

Zhvillimet e së enjtes erdhën pasi dhjetëra mijëra vërshuan rrugëve në më shumë se 100 qytete ruse fundjavën e kaluar duke kërkuar lirimin e tij, raporton Al Jazeera.

Duke folur në gjykatë përmes një lidhje video nga burgu, Navalny denoncoi procedimet penale kundër tij si pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të frikësuar opozitën.

“Ju nuk do të keni sukses të trembni dhjetëra miliona njerëz që janë grabitur nga ajo qeveri”, tha ai. Avokatët e tij thanë se Navalny do të apelojë kundër vendimit për ta mbajtur atë në paraburgim, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax.

Pasi u dha vendimi, Navalny i tha gjyqtarit: “Gjithçka ishte e qartë për mua para fillimit të seancës gjyqësore, faleminderit”. /Insajderi.com