Gjykata Supreme: Edhe Holanda fajtore për masakrën e Srebrenicës

Gjykata Supreme: Edhe Holanda fajtore për masakrën e Srebrenicës

Holanda është pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e 350 boshnjakëve në masakrën e Srebrenicës,në korrik të vitit 1995. Përfundimi u arrit nga Gjykata Supreme e Holandës.

Gjykata tha se shteti holandez kishte asokohe përgjegjësinë 10%, pasi kjo ishte shkalla e mundësisë që ushtarët e saj mund të kishin parandaluar vrasjet. “Nëse forcat holandeze u dhanë mundësi këtyre burrave të qëndrojnë aty, ka pasur vetëm 10 për qind mundësi që ata të mos bien në duart e forcave serbe, dhe për këtë arsye shteti holandez duhet të jetë përgjegjës vetëm për atë pjesë të dëmit”-deklaroi gjykata, duke ulur në mënyrë drastike përgjegjësinë e caktuar në 30% nga një gjykatë e apelit.

Në 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë rreth 8.000 burra myslimanë në qytetin e Srebrenicës. Kur ndodhi ngjarja, holandezët po ruanin një zonë të sigurisë të OKB-së. Në vitin 2002, një raport për rolin e Holandës në Srebrenicë bëri që e gjithë qeveria holandeze të jepte dorëheqjen.