Gjykimi ndaj kryetarit të FFK-së – prokurori thotë se s’ka mundur t’i sigurojë të gjitha provat për shkak të lëndës voluminoze

Gjykimi ndaj kryetarit të FFK-së – prokurori thotë se s’ka mundur t’i sigurojë të gjitha provat për shkak të lëndës voluminoze

Në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj kryetarit aktual të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi si dhe Muharrem Ramës, të akuzuar për ushtrim të ndikimit dhe detyrim, prokurori Feti Tunuzliu, nuk i ka siguruar të gjitha provat e propozuara në aktakuzë.

Ademi e Rama akuzohen se me qëllim të përfitim material, e kishin detyruar dhe kërcënuar të dëmtuarin Dritëro Kadolli, lidhur me pagesën e një veture të tipit “BMW X5”, në vlerë prej 30 mijë euro, e cila më pas pretendohej t’i dorëzohej kryesuesit të atëhershëm të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e sotme, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori Tunuzliu në lidhje me provat të cilat gjenden në aktakuzë, tha se në këtë dokumentacion ishin përshkruar raportet e shumta të veprimeve hetimore, duke përfshirë edhe raportet me rastin e arrestimeve, që sipas tij, nuk ishin prova, por dokumente shkresore të hetuesve policorë.

Ai i propozoi gjykatës që të administrohem si prova të gjitha raportet të cilat ishin marrë nga hetuesit policorë në lidhje me zbatimin e masave të fshehta.

Por, propozimin e prokurorit që të administrohen si prova raportet policore, e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit Rama, avokati Ramiz Krasniqi.

“Tendenca e prokurorit që raporteve t’iu jepet cilësia e provave nuk ka sukses, sepse raportet janë vetëm indicie për fillimin e një hetimi dhe nuk janë prova”, tha avokati Krasniqi.

Mirëpo, sipas prokurorit, raportet të cilat i kundërshtoi avokati Krasniqi, ishin rezultate të veprimeve hetimore që i kishin ndërmarrë hetuesit policorë, sipas urdhrave të gjyqtarit të procedurës paraprake, duke përfunduar me përpilim të raporteve përkatëse.

Ai tha se nuk kishte mundur t’i siguronte të gjitha provat për shkak që sipas tij, lënda ishte voluminoze, e trashëguar nga prokurorët e EULEX-it.

“Nuk kam mujt me i siguru të gjitha provat për shkak të lëndës e cila është voluminoze, dhe për  shkak të angazhimeve me lëndë tjera”, tha Tunuzliu.

Sipas tij, në këto raporte bëhej fjalë për raporte të masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit të hetimeve, dhe se nuk bëhej fjalë për raporte të veprimeve të tjera policore.

“Meqenëse jemi në këtë situatë, i propozoj gjykatës që seanca e sotme të mos vazhdoj me tutje, derisa të bëhet verifikimi i të gjitha provave të cilat janë të propozuara në aktakuzë”, ishte propozimi i prokurorit Tunuzliu.

Për shkak të kësaj situate, propozimi i tij është aprovuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, e cila e obligoi prokurorin që t’i specifikojë të gjitha provat veç e veç  dhe të bëjë listimin e tyre.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 26 dhjetor 2018, në ora 9:30.

Aktakuza ndaj Muharrem Ramës dhe Agim Ademit është ngritur me 14 janar 2014, në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12  korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMW X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.