Jehona Zhuniqi
Kryeministri tashmë në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, sa ishte në opozitë e kishte gojën plot, se në momentin që do ta merrte pushtetin do të zvogëlonte dhe zhdukte korrupsionin, nepotizmin dhe politizimin e bordeve.
Këtë premtim Kurti e kishte bërë edhe gjatë 2017-ës, në fushatën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në kohën kur tri subjektet politike PDK-AAK-NISMA ishin bërë bashkë për të sfiduar subjektet tjera politike.
“Me këtë Qeveri u rrit numri i partive që e kanë kapur shtetin, por në zgjedhjet e ardhshme ne do t’i çkapim prej shtetit”, kishte deklaruar Kurti, në një prej tubimeve zgjedhore.
Këtë deklaratë ai nuk e harroi edhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2019.
Para zgjedhjeve të 6 tetorit, saktësisht më 17 shtator, Kurti kishte nënshkruar edhe një dokument të “Zotimeve për Qeverisje të Mirë”, një deklaratë kjo e organizatës “Demokracia Plus”.
Në pikën 6 të këtij dokumenti, Kurti ishte zotuar pikërisht që do të ketë depolitizim në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të agjencioneve dhe ndërmarrjeve publike, shkruan Insajderi.
Kurti emëron në borde njerëz të partisë së tij
Por, siç duket kryeministri në detyrë Kurti, ka harruar premtimin e tij, për të cilin zotohej në vazhdimësi.
Vetëm gjatë ditës së djeshme, saktësisht në mbledhjen e Qeverisë vet Kurti është përkujdesur që të rehatojë militantët e partisë së tij.
Njëjtë sikurse partitë e tjera që kanë qenë në pushtet edhe Lëvizja Vetëvendosje, ka nisur ta kapë shtetin me emërime partiake.
Ish-udhëheqësi i Qendrës së Vetëvendosjes në Podujevë, Abdullah Lala, është emëruar drejtor i Bordit të Përkohshëm të ndërmarrjes publike qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrak os” Sh.A.
Shpërblehet aktivisti i vjetër i VV-së në Podujevë: Emërohet drejtor në Ndërmarrjen Publike
Ndërsa, anëtari i Vetëvendosjes, Artan Dermaku është zgjedhur dje anëtar i Bordit të ndërmarrjes publike “Hekurudhat e Kosovës” – Infrakos.
Kujtojmë se Artan Dermaku në partinë e Kurtit ishte anëtarësuar në muajin gusht të vitit 2018.
Kryeministri Kurti emëron mikun e tij të studimeve në bordin e Infrakosit
Po, Kurti nuk është ndalur me kaq. Ai ka emëruar edhe një tjetër njeri të Vetëvendosjes në bordin e një tjetër ndërmarrjeje.
Bëhet fjalë për Mentor Hysenin. Ai është emëruar në pozitën Kryesues i Bordit Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.
I njëjti në zgjedhjet e fundit për deputet të Kuvendit të Kosovës ka qenë kandidat nga radhët e LVV-së, por nuk kishte arritur të siguronte një ulëse.
Kush është Mentor Hyseni – i emëruari i Kurtit në krye të Bordit të Ujësjellësit?
Emërimet partiake të Kurtit, reagon shoqëria civile
Por, ndaj këtyre emërimeve politike kanë reaguar edhe shoqëria civile dhe ish-bashkëpartiakë të Kurtit.
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, përmes një shkrimi në Facebook, ka ironizuar me Vetëvendosjen duke thënë: Këta kandidatet për deputet të VV-së, që s’janë zgjedhur në Kuvend, a kanë pas konkurruar për deputet a për kryetar të bordeve.
Edhe Agron Demi nga Instituti GAP ka reaguar pasi që qeveria në detyrë ka emëruar sot drejtor në bordin e ndërmarrjes Infrakos, anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Demaku.
Demi nëpërmjet një statusi në ‘Facebook ka thënë se mbushja e bordeve me anëtarë të partive në pushtet është një ndër veprimet më të pështira të partive.
“Një ndër veprimet më të pështira të partive është mbushja e bordeve me anëtarë të partive në pushtet. Bordet duhet të shërbejnë për avancimin e ndërmarrjes, e jo për shlyerjen e borxheve të partive. Andaj, zëvendësimi i bordeve partiake me anëtarë të partisë tash në pushtet, është vetëm vazhdim i degradimit të ndërmarrjeve me metoda të njejta, përmes emrave të rinj”, ka shkruar Demi.
Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, e ka pranuar se disa nga të emëruarit në bordet e përkohshme të tri ndërmarrjeve publike në vend, janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Megjithatë, në tentim për të arsyetuar emërimin e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në bordet e Postës së Kosovës, ndërmarrjes publike “Infrakos” dhe KRU “Prishtina”, ministrja Hajdari ka deklaruar se “ata janë profesionistë e jo militantë partie”.
“Mentor Hyseni e Artan Dërmaku njëmend janë anëtarësuar së voni në LVV por ata janë profesionistë të sprovuar të Kosovës e jo militantë partie politike”, ka thënë Hajdari. “Janë njerëz që ju beson Qeveria dhe që nuk vjedhin. Bordi i përkohshëm bën punë ekipore dhe ka vendimmarrje kolektive me shumicë votash”.
Ministrja ka paralajmëruar ndërrimin e të emëruarve të përkohshëm, më së largu në stinën e vjeshtës.
“Këto janë borde të përkohshme dhe emergjente të pranverës, të cilat nuk do t’i zë vjeshta aty. I kemi për ta ndalur gjakderdhjen financiare dhe rënien e lirë të ndërmarrjeve jetike për qytetarët”, ka thënë Hajdari.
Qeveria në detyrë e Kosovës, të enjten ka shkarkuar bordet e tri ndërmarrjeve publike: Postës së Kosovës, “Infrakos”-it dhe Ujësjellësit “Prishtina”./Insajderi.com