Google e listoi gabimisht si president të SHBA-së, Grenell merr disa “urdhra ekzekutivë”

Google e listoi gabimisht si president të SHBA-së, Grenell merr disa “urdhra ekzekutivë”

Ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka premtuar “një numër të madh të urdhrave ekzekutivë”, pasi Google gabimisht ka listuar atë si “President i SHBA-së që nga viti 2021”, transmeton Insajderi.

Ish-ndihmësi i Donald Trumpit njëherësh edhe ish-emisari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, po ashtu është tallur me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, që ishte rrëzuar derisa po ngjitej në aeroplan.

“Do të ngjitem shkallëve pa u rrëzuar”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Biden ishte rrëzuar tri herë derisa po ngjitej në aeroplanin “Air Force One”.

Të shtunën, para se të kuptonte promovimin aksidental që ia kishte bërë Google, Grenell është ankuar për mbulimin që mediat ia kanë bërë rrëzimit të Bidenit.

Në “urdhrin e parë ekzekutiv” pasi Google e “bëri” Grenellin president të SHBA-së, Grenell kërkoi se terminali i gazit të lëngshëm natyral të ndërtohet sa më shpejt në bregun Perëndimor të SHBA-së, e preferueshme në Kaliforni dhe “të ndërtohen impiante të shumta energjetike nukleare në Kaliforni”, raporton “The Guardian”.

Deri në kohën e drekës Google gjatë së shtunës e rregulloi gabimin. /Insajderi.com