Gratë që udhëheqin biznese të vogla përfitojnë nga Programi i Rimëkëmbjes

Gratë që udhëheqin biznese të vogla përfitojnë nga Programi i Rimëkëmbjes

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, të hënën ka nënshkruar marrëveshje me përfitueset e bizneseve të vogla të Grave nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike 2021-Masa 4, Faza e dytë.

Kjo marrëveshje është nënshkruar me rastin e Tetë Marsit- Ditës Ndërkombëtare të Gruas, aktivitet ky që është mbajtur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Me këtë rast, Hoti ka bërë të ditur se janë ndarë mjete për 10 strehimore të grave.

“Kjo do të vazhdojë edhe më tutje që të fuqizojmë gratë në ekonomi dhe ta eliminojmë dhunën ndaj tyre. Sivjet kemi dizajnuar masa 4.1 milionë euro shkon në dy drejtime. Ne sot nënshkruajmë disa prej aplikimeve që janë bërë duke i shpallur përfituesit e fazës së dytë. Po e përmbyllim këtë program ku sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, Kosova është në mesin e 15 vendeve që kishte masa për sigurimin e grave”, ka thënë ai.

Tutje, i pari i ekzekutivit ka shtuar se mbështetja për gratë do të jetë e vazhdueshme në mënyrë që ato të krijojnë pavarësi e qëndrueshmëri.

“Jemi përballë një situatë të vështirë të pandemisë dhe kemi parë që këto norma ndikojnë në jetën e grave dhe vajzave. Ky është kontribut i jashtëzakonshëm për ata që marrin këto shërbime brenda familjes. Pandemia ka ndikuar te bizneset e vogla dhe rrjedhimisht kanë pësuar më shumë nga kjo pandemi”.

“Ne kemi rivlerësuar prioritet në kuadër të kapacitete për të mbështetur ekonominë dhe t’i targetojmë grupet e grave në biznes. Atëherë patëm ndarë 2 milion euro. Ne kemi siguruar vazhdimësinë e edukimit për 6 948 fëmijë. Institucionet tjera kanë ndihmuar gratë në biznes rreth 400 mijë euro ministrisë e Tregtisë”./Insajderi.com