Greqia nis flotën e saj luftarake në kufirin detar për shkak të refugjatëve

Greqia ka frikë se nga Turqia do të arrijnë valë të reja refugjatësh dhe ka nisur flotën e saj luftarake në kufirin detar. Përhapja e shfrenuar e virusit Corona në Turqi përbën një shqetësim shtesë.

Greqia nis flotën e saj luftarake në kufirin detar për shkak të refugjatëve

Për qeverinë në Athinë, nuk është vetëm një thashethem: ka informacione që Turqia ka transferuar migrantë nga pjesët e brendshme të vendit për në brigjet e Egjeut, shpjegon Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Panagiotopoulos, në një intervistë për stacionin televiziv Skai. Këta njerëz do të përpiqen të arrijnë në ishujt Grekë të Chios, Samos dhe Lesbos me varka dhe të hyjnë kështu në BE.

Prandaj për të gjitha forcat e sigurisë si tokësore dhe detare, ka një urdhër të qartë paralajmëron ministri: hyrja në vend e njerëzve në mënyrë të paligjshme duhet të parandalohet. Greqia do të ndërtojë “mure lundruese” në Egje për të parandaluar ardhjet e reja, raporton gazeta e Athinës Kathimerini pa përmendur detaje.

Edhe mediat gjermane kanë njoftuar për transferim migrantësh në brigjet e detit Egje gjatë ditëve të kaluara. Sipas informacioneve të gazetës Die Welt autoritetet turke kishin transferuar vetëm gjatë fundjavës së Pashkëve 2.000 vetë nga një kamp internimi në Osmaniye për në rajonin e Izmirit, që shtrihet në Detin Mesdhe, dhe u kishin sugjeruan që të largohen për në Greqi.