Greva paralajmëruese që rrezikon të bëhet e vazhdueshme

Greva paralajmëruese që rrezikon të bëhet e vazhdueshme

Punëtoret e Administratës Tatimore të Kosovës, më 20 maj kanë mbajtur një grevë 60 minutëshe të cilën e kanë quajtur paralajmëruese, por nëse kërkesat e tyre nuk përfillen atëherë greva do të kalojë në të përgjithshme.

Nga Sindikata e Punëtorëve të ATK-së, i thanë Gazetës Online Insajderi, se deri më tash kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh nga Qeveria e Kosovës e as nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Për bazë nuk u morën as pyetjet që Insajderi dërgoi për Qeverinë e Ministrinë e Financave, pikërisht për këtë çështje.

Krijimi i kushteve të punës, Kompensimi i shpenzimeve, si dhe përfshirja e punëtorëve në pakot fiskale, janë kërkesa themelore që Sindikata e ATK-së ka adresuar te institucionet.

Por, ata duan gjithashtu që ATK nga “Agjenci ekzekutive” të shndërrohet në “Agjenci me status të veçantë”.

Punëtorët e institucionit që grumbullon një pjesë të madhe të buxhetit shtetëror, kërkojnë që të gjithë ata që janë të punësuar në ATK të përfshihen në pakon fiskale.

“Është hera e dytë që fillimisht aprovohet përfshirja në pakot fiskale vetëm për një pjesë të stafit të Administratës Tatimore të Kosovës, pastaj anulohet me vendim të Qeverisë”, thuhet në përgjigjet e Sindikatës.

Të gjithë nuk po marrin shtesa – por njëjtë jo të gjithë punonjësit iu kanë bashkuar grevës, sidomos ata me pozita udhëheqëse.

Megjithatë, kishte edhe nga ata që përkundër pozitave drejtuese i janë bashkuara kolektivit të ATK-së që pos tjerash po kërkojnë nga shteti të iu kompensohen disa shpenzime.

Sidoqoftë, thonë se pjesa dërmuese e punëtorëve të ATK-së janë bashkuar në shfaqjen e pakënaqësisë.

Pakënaqësi që lidhet po ashtu me një kosto që është ajo e mbushjeve të telefonit.

Ankohen se inspektorët që janë në teren duke biseduar me tatimpaguesit, duhet që nga xhepi i tyre ta mbushin telefonin e të komunikojnë.

“Sindikata e Punëtorëve të ATK-së ka dhënë propozim që tu ndahet një shumë e barabartë për të gjithë stafin e ATK-së një vlerë prej 15€ pa dallime pozite nga Drejtori i Përgjithshëm e deri të pozita më e ulët e këtij Institucioni”.

Realizimi i kësaj kërkese sipas tyre nuk ka implikime buxhetore.

Buxheti i shtetit që vjen nga ATK mblidhet nga disa lloje tatimesh.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) në furnizimet e brendshme,  Tatimi në të Ardhurat Personale, Tatimi në të Ardhurat e Korporatave, Tatimet e mbajtura në burim,  Kontributet Pensionale, Dhënien e licencave për lojërat e fatit.

23.8 milionë euro ka përfituar shteti në tre mujorin e parë të këtij vit nga inkasimi i mjeteve financiare.

Për t’u mbledhur këto mjete shpesh inspektorët përballen direkt me borxhlitë e ATK-së.

Ata dhe punëtore të tjerë të administratës po kërkojnë që të trajtohen më mirë nga institucionet përgjegjëse. /Insajderi.com