Gruaja ofron 1.3 milion dollarë për të vrarë bashkëshortin ish-futbollist

Gruaja ofron 1.3 milion dollarë për të vrarë bashkëshortin ish-futbollist

Yağmur Aşık komplotoi për të vrarë burrin e saj, Emre Aşık, një ish-futbollist i njohur, duke i ofruar një vrasësi me pagesë 10 milionë lira turke (1.3 milion dollarë) dhe duke i kërkuar atij që të gjente një vend të sigurt për të varrosur burrin e saj pas vdekjes së tij, media turke raportojnë, transmeton Insajderi.

Plani i vrasjes dështoi kur vrasësi rrëfeu të gjithë panin te Emre Aşık, një nga futbollistët e rrallë turq që ka luajtur për tre gjigandët e Stambollit Galatasaray, Fenerbahçe dhe Beşiktaş.

Yağmur Aşık dhe partneri i saj, Erdi Sungur, do të akuzohen për “vrasje në tentativë”.

Sipas aktakuzës së ngritur nga zyra e prokurorit të provincës veriperëndimore të Düzce, Yağmur Aşık së pari i kërkoi Sungur të vriste burrin e saj.

“Unë kisha një lidhje me Yağmur. Ajo po mendonte të trashëgonte pasurinë e bashkëshortit pas vdekjes së tij. Më kërkoi ta vrisja, por unë refuzova,” tha Sungur në dëshminë e tij para prokurorëve.

“Një herë ajo më solli një copë mishi. Ajo donte që unë të qëlloja mishin. Unë u përpoqa të qëlloja, por isha i ngathët. ‘Nuk mund ta bësh’, bërtiti ajo e zemëruar”, shtoi Sungur.

Sungur më pas prezantoi Yağmur Aşık me një vrasës me pagesë  i cili kishte qenë në burg për vrasjen e tre personave.

Data e seancës së parë të padisë penale në Gjykatën e Lartë Penale Düzce do të shpallet së shpejti.

Emre dhe Yağmur Aşık u martuan në Francë në vitin 2012. Çifti nuk është divorcuar ende dhe ka tre fëmijë. /Insajderi.com