Guillermo Lasso është president i ri i Ekuadorit

Guillermo Lasso është president i ri i Ekuadorit

Në bazë të 98 për qind të votave të numëruara, bankieri konservator Guillermo Lasso siguroi 52,49 për qind të votave, ndërsa ekonomisti socialist Andres Arauz mori 47,51 për qind, sipas rezultateve të shpallura nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor, transmeton Insajderi.

“Së bashku ia dolëm, sot fitoi Ekuadori”, shkroi Lasso në Twitter. Lasso, duke shfrytëzuar përvojën e tij si bankier dhe biznesmen ka promovuar politikat e tregut të hapur, me të cilat ka premtuar të krijojë mijëra vende pune dhe të përmirësojë pagat e qytetarëve të Ekuadorit, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë fushatës presidenciale, ai tha se do të gjeneronte dy milionë vende pune në katër vitet e qeverisë së tij dhe do të ulte gradualisht taksat. Ai e ka përshkruar vazhdimisht modelin socialist si një “dështim”.

Kandidati presidencial i krahut të majtë Arauz pranoi humbjen ndaj kundërshtarit të tij dhe tha se do të telefononte Lasso për t’i uruar fitoren.

Në raundin e parë të votimit në shkurt, Arauz doli i pari me 32,7 për qind, ndërsa Lasso mori 19,7 për qind. Yaku Perez i partisë indigjene Pachakutik doli i treti me 19,4 për qind, duke mbetur pas Lasso-s me vetëm 32.115 vota nga më shumë se 10 milionë votues.

Megjithatë, zgjedhjet e raundit të dytë treguan se Lasso mbuloi diferencën ndaj Arauz pasi shumica e kandidatëve që humbën në raundin e parë vendosën të mbështesnin kandidatin e krahut të djathtë.

Udhëheqësit në të gjithë botën e kanë uruar presidentin e zgjedhur Lasso.

Pavarësisht rritjes së rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19), qeveria vendosi të mos shtyjë zgjedhjet. Vendi i Amerikës së Jugut ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në tetë provinca për shkak të COVID-19, i cili deri më tani ka marrë më shumë se 17.000 jetë. /Insajderi.com