Spekulimet për të ardhmen e mesfushorit Ilkay Gundogan kanë qenë temë e shumë diskutimeve javët e fundit. Reprezentuesi gjerman është në vitin e fundit të kontratës së tij me Manchester Cityn ku ka kaluar shtatë vjet, ndërsa flitet për një lëvizje të tij te Barcelona.
Javën e kaluar u pretendua se Gundogan ishte pajtuar me kushtet e Barcelonës, megjithëse ato thashetheme u mbyllën nga agjenti i tij në fundjavë.
Duke folur përpara ndeshjes së Manchester Cityt kundër Bayern Munichut të mërkurën, Gundogan ka folur për të ardhmen e tij. Sipas Sport, ai ka bërë të ditur se ende nuk është nënshkruar asgjë.
“Ka bisedime private, mendoj se është normale. Pa hyrë në shumë detaje, asgjë nuk është vendosur ende, kështu që negociatat vazhdojnë dhe nëse ka një vendim, do të jeni të parët që do ta dini”, ka deklaruar lojtari.
Barcelona e sheh Gundoganin si një opsion të shkëlqyer për të përforcuar mesfushën e tyre. Është një zonë në të cilën ata janë duke luftuar për momentin, me Frenkie De Jong, Pedri dhe Sergi Roberto të gjithë të lënduar.