“Hapja e Aeroportit të Kukësit do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës”

“Hapja e Aeroportit të Kukësit do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës”

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka vlerësuar si mundësi të mirë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, hapjen e aeroportit në Kukës, njofton Insajderi.

Udhëheqësi i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se hapja e aeroportit të Kukësit është mundësi shumë e mirë që do të ndikojë në zhvillimin e ekonomisë, turizmit dhe investimet e huaja në Kosovë.

Ai tha se me hapjen e aeroportit të ri, pasagjerët do të përfitojnë shërbime më të lira dhe të shpejta, si dhe do të këtë me shume zgjidhje për ardhjen e diasporës.

“Kjo është më shume në funksion të Kosovës se sa të vetë Shqipërisë, pasi që Prishtina ka rreth 100km, kjo është edhe një konkurrencë e drejtpërdrejte e aeroportit të Prishtinës, që pasagjerët do të përfitojnë shërbime më të lira e më të shpejta, por edhe më shumë zgjidhje për udhëtimin e diasporës shqiptare”, ka thënë Shahini në një komunikatë për media.

“Kjo rritë edhe mundësinë e konkurrencës të importeve dhe eksporteve të mallrave dhe shërbimeve kombëtare dhe ndërkombëtare të Kosovës dhe të Shqipërisë në mes vetë, por dhe me gjerë”, ka shtuar ai.

Shqipëria ka përuruar dje hapjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Kukësit, i cili mban emrin “Zayed-Flatrat e Veriut”. /Insajderi.com