Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të enjten ka vizituar Rahovecin, ku u ka premtuar qytetarëve se do të mbështeten ekonomikisht nga programi që Aleanca ka hartuar për qeverisjen e ardhshme, njofton Insajderi.
Gjatë kësaj vizite Haradinaj tha se e ndjeu frymën e fitores për zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Gjithherë i mahnitur me mikpritjen në Rahovec. Sot e fillova vizitën duke bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve për të vazhduar me takime në Fortesë dhe Ratkoc. Këta njerëz të mrekullueshëm dhe punëtorë, do të mbështeten ekonomikisht nga programi që Aleanca ka hartuar për qeverisjen e ardhshme. Në Fortesë e Ratkoc, ndjeva frymën e fitores. Na priftë e mbara”, ka shkruar ai në Facebook.
Vlen të ceket se AAK në këto zgjedhje nuk ka kandidat për kryeministër, pasi që synojnë postin e presidentit. /Insajderi.com