Hendbollistët e Kosovës nuk e fshehin optimizmin para Botërorit në Spanjë

Hendbollistët e Kosovës nuk e fshehin optimizmin para Botërorit në Spanjë

Hendbollistët e rinj të Kosovës janë në përmbyllje të përgatitjeve për Kampionatin Botëror për grupmoshën U21 që prej të martës zhvillohet në Spanjë.

Në Përfaqësuesen e Kosovës është atmosferë shumë e mirë, ndërsa djemtë po japin maksimumin në stërvitje dhe janë të uritur për sukses para udhëtimit për në Spanjë. Josova U21 të hënën në mëngjes niset për në Spanjë, kurse menjëherë të martën e luan ndeshjen e parë.

Është kjo gjenerata që ka shkruar histori, që ka bërë të mundur që për herë të parë Kosova të luajë në një Kampionat Botëror në sportet ekipore. Trajneri Fatmir Muhaxheri dhe ndihmësi i tij, Benon Brahushi janë të kënaqur me angazhimin e djemve, ndërsa edhe lojtarët janë të gatshëm për këtë sfidë tepër të rëndësishme.

“Jemi duke punuar gati një muaj, kemi përfunduar me sukses fazën e parë e tani jemi në përfundim edhe të fazës së dytë. Besoj që jemi mjaft të përgatitur, kemi punuar intensivisht. Jemi shumë në formë, besoj se do të korrim suksese në Spanjë. Jemi shumë optimistë për rezultate të mira”, ka deklaruar Drenit Tahirukaj.

“ Përgatitjet po shkojnë shumë mirë, kurse tashmë jemi ekip shumë më i komponuar. E njohim më mirë lojën e njëri-tjetrit. Kemi pasur më shumë kohë për përgatitje, për të luajtur së bashku. Për këtë mendoj se mund të arrijmë diçka në botëror”, është deklarata e Adrian Halilit.