Hendbollistet e Prishtinës shkruajnë historin

Hendbollistet e Prishtinës shkruajnë historin

Me Leonora Demajn të pandalshme në përbërje, përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka shkruar histori në fundjavë.

Pas dy cikleve të pasuksesshme eliminatore, në të cilat kishte vetëm humbje, Kosova të shtunën e të dielën regjistroi fitore dhe kaloi me sukses fazën e parë eliminatore për “Euro 2018”. Demaj, që për herë të parë luajti për Kosovën, ka shkëlqyer.

Lojtarja që karrierë bën në Danimarkë, të dielën në ndeshjen vendimtare ndaj Izraelit ia doli të shënonte plot 16 gola.

Secili gol ishte më i bukur se tjetri, ndërsa 19-vjeçarja ishte bindshëm lojtarja më e dalluar. Ajo realizoi gjysmën e golave të Kosovës që e mposhti bindshëm Izraelin me shifrat 32:25.

Me këtë fitore Kosova e ka fituar grupin B të raundit të parë kualifikues dhe tani do të luajë në raundin e dytë që është edhe raundi kryesor eliminator.

Në Grupin B ishte edhe Gjeorgjia, që të premten pësoi nga Izraeli (31:27) dhe të shtunën nga Kosova (30:19).