Së fundmi, një video e vitit 2013, është ripostuar në media sociale.
Videoja është e një vajze “me pamje të ëmbël” duke buzëqeshur në gjykatë ndërsa kishte veshur një kostum burgu portokalli, e shoqëruar me këngën e famshme të këngëtares shqiptare, Ava Maxx “Sëeet But Psycho” (“E ëmbël por psikopate”).
Isabella Guzman, 25 vjeçare, nga Aurora, Colorado, në Shtetet e Bashkuara ishte në gjykatë për akuzën, vrasje e shkallës së parë, njofton Insajderi.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Isabella kishte goditur me thikë nënën e saj, Yun Mi Hoy, 151 herë në fytyrë dhe trup, në banjën e katit të sipërm të shtëpisë së tyre. Isabella ishte vetëm 18 vjeçare kur ndodhi incidenti në vitin 2013.
Të dy thuhet se kishin një marrëdhënie të tensionuar, por erdhi në një pikë kur Yun Mi ishte bërë mjaft e shqetësuar me sjelljen e Isabella sa që ajo thirri policinë më herët ditën kur u vra.
Policia iu përgjigj thirrjes duke vizituar shtëpinë e tyre dhe duke këshilluar Isabella-n që nëna e saj mund ta flakte jashtë nga shtëpia për sjelljen e saj. Babai biologjik i Isabella, Robert Guzman, gjithashtu i tha medias se ai kishte një bisedë me të para incidentit tragjik.
“Shkova të flas me Isabelën dhe u ulëm në oborrin e shtëpisë duke parë pemët dhe kafshët dhe fillova të flas me të për respektin që njerëzit duhet të kishin për prindërit e tyre”, kishte thënë ai.
Më vonë atë natë pasi Yun Mi shkoi të bënte një dush pas punës, njerku i Isabella dëgjoi një goditje të fortë nga banjo e katit të sipërm.
Njerku i saj, Ryan Hoy ishte në katin e poshtëm gjatë incidentit dhe kishte thirrur policinë lokale kur pa gjakun që grumbullohej nën derën e banjës.
Ndërsa ishte në telefon me policinë, Ryan tha se ai nuk ishte në gjendje të hynte në banjë sepse Isabella nuk e lejonte. Një moment më vonë, dera e banjës u hap dhe ai pa Isabella-n që qëndronte në derë duke mbajtur një thikë.
Sipas Ryan, Isabella nuk tha asgjë kur doli nga banjo. Ajo vetëm po shikonte drejt, teksa po largohej.
Të nesërmen pasdite, oficerët arrestuan Isabellën pasi ajo u pa pranë një vend parkimi. Dikush kishte thirrur policinë me një informatë se ata panë diçka të dyshimtë.
Në videon virale të dëgjimit të saj, Isabella duket se nuk tregon pendim për veprimet e saj dhe mund të shihet duke buzëqeshur dhe duke bërë fytyra në kamerën e sallës së gjyqit.
Pas një vlerësimi psikologjik, gjykata zbuloi se Isabella kishte vuajtur nga një sëmundje mendore – skizofrenia paranojake.
Skizofrenia paranojake karakterizohet nga simptomat e skizofrenisë, përfshirë iluzionet dhe halucinacionet. Këto simptoma zbehin kufirin midis asaj që është reale dhe asaj që nuk është, duke e bërë të vështirë për personin që përballet me sëmundjen të bëjë një jetë normale.
Isabella që atëherë ka marrë trajtim për sëmundjen e saj në Spitalin Psikiatrik Pueblo, në Colorado. /Insajderi.com
Burimi: TRP