Historia e vajzës që kapi armën AK-47 për të mbrojtur familjen e saj

Historia e vajzës që kapi armën AK-47 për të mbrojtur familjen e saj

Kur 15 vjeçarja Nooria u sulmua në shtëpinë e saj, ajo kapi armën AK-47 dhe vrau dy burra e plagosi të tretin. Ajo u brohorit si heroinë, por historia që ndodhi atë natë ishte më e komplikuar.

Burrat erdhën në fshat natën, sipas Noorias, dikur rreth orës 1 pas mesnate. Ajo u zgjua prej zhurmës që dëgjoi nga dhoma e gjumit të prindërve. E dëgjoi edhe kur prindërit i nxorën jashtë shtëpisë dhe të shtënat e armëve, raporton BBC, shkruan Insajderi.

“Ata i ekzekutuan,” tregon Nooria për intervistën e saj me BBC.

Nooria është rritur në një fshat të vogël rural, pjesë e Avganistanit. Ajo ishte adoleshente e qetë dhe e turpshme, por e aftë të kapë armën dhe të gjuajë me saktësi, një mjeshtri e mësuar nga babai në moshë të re.

Atë natë, Nooria e kapi armën e të atit, një AK-47 dhe gjuajti drejt burrave. Ajo i vrau dy prej tyre dhe plagosi të tretin. “Ishte e tmerrshme. Babai im ishte i gjymtuar, nëna ime e pafajshme. Dhe ata i vranë,” tregon ajo.

Nooria thotë që babai i saj ishte bërë target i talebanëve sepse ishte i pari i fshatit dhe udhëheqës komunitetit pro qeveritar.

Mirëpo 3 javë pas ngjarjes, tregohen versione shumë kontradiktore të kësaj storie që asesi nuk përputhen.

Sipas disa prej këtyre burimeve, njëri nga burrat që i kishin vrarë prindërit e Nooria, kishte qenë ish burri i saj.

Një version tjetër i kësaj historie shpalos realitetin tragjik të grave në Avganistan, kur gratë e reja mbeten peng i kulturave tribale, zakoneve tradicionale dhe patriarkisë që u kontrollon jetën. Sikur Nooria, ato kanë pak fuqi, akses të paktë në edukim dhe shumë dhunë në jetën e tyre.

Elementi më kontradiktor në këtë histori ka të bëj me burrat që sulmuan shtëpinë. Të gjitha versionet kanë një pikë të përbashkët; në fshat ndodhi një sulm në orët e para të mëngjesit.

Sipas Noorias, të huajt e identifikonin veten si luftëtarë ‘muhagjedin’ dhe ata erdhën për babain e saj.

Kur ajo dhe vëllau i saj i vogël u larguan me helikopter në një shtëpi të sigurtë, mediat sociale eksploduan me historinë e vajzës që kishte kapur armët për të mbrojtur veten. Presidenti Ashraf Ghani e ftoi Noorian në kryeqytet për të lavdëruar për heroizmin e treguar.

Mirëpo një javë pas sulmit, filluan të qarkullojnë fjalë se njëri nga burrat e vdekur kishte qenë burri i Noorias.

Disa pjestarë të familjes dhe burime lokale thanë për BBC se Rahim, burri i Noorias, erdhi në fshat për të marrë gruan e tij, pasi babai i saj e kishte kthyer në shtëpi.

Nora e mohon të ishte e martuar me Rahim. Sipas të tjerëve thuhet se ajo ishte pjesë e marrëveshjes ‘mokhi’, një shkëmbim i dy grave mes dy familjeve.

Rahim e kishte marrë Noorian si grua të dytë, ndërsa babai i Noorias e kishte marrë për grua të dytë mbesën adoleshente të Rahim.

Verifikimi i saktë i një historie të tillë është i vështirë për një vend sikur fshati i Noorias. Mirëpo për të vërtetuar këtë, BBC gjurmoi nënën e Rahim, Shafiqa, e cila jeton në Nimruz bashkë me gruan e parë të djalit të saj.

Ajo tha se pak para dy vitesh, kur Rahim kishte qenë duke punuar në Helmand, Babai i Norës erdhi dhe e mori atë, dhe e la aty gruan e tij – mbesën e Rahim.

Ata kishin kërkuar ndihmën e të moshuarve për të zgjidhur problemin mirëpo duke qenë më të varfër se familja e Noorias, ata ishin të pafuqishëm ndaj babait të saj. Ajo konfirmoi që Rahim kishte shkuar atë natë te shtëpia e Noorias por mohon që kishte pasur qëllim për të e vrarë.

“Ai ka shkuar atje pasdite dhe i ka kërkuar babait të Noorias të zgjidhin problemin, qoftë edhe duke u divorcuar,” tha ajo. Ajo mohoi që djali i saj të ishte i përfshirë me talebanët. Ajo përshkruan humbjen e djalit të saj 12 vite më parë, tani nuk ka më burra të tjerë në familje. Ajo është një tjetër grua e përfshirë në dhunën që është jashtë kontrollit të saj.

Policia lokale në provincën e Noorias, insiston që Rahim dhe Nooria nuk ishin të martuar, se vizita në shtëpi ishte rutinë e talebanëve dhe se targeti ishte babai i Noorias.

Të nesërmen pas varrimit të prindërve, Afganistani bëhet gati për bisedime me Talibanin. Do të flitet për paqe të mundshme, por shumë njerëz po vriten në ndërkohë. Shumica prej tyre janë gra dhe fëmijë. Sikur Nooria, ata kanë fuqi dhe zë të limituar dhe asnjë zgjidhje, por të mbrojnë veten, fizikisht dhe emocionalisht./Insajderi.com